Lidhje

Të përbashkëtat dhe dallimet mes fushatave Trump dhe Macron


France Election

Në prag të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, u bënë krahasime të shpeshta mes Donald Trumpit dhe drejtueses së Frontit Kombëtar, Marine Le Pen për shkak të ngjashmërive ideologjike mes tyre. Por edhe ngritja e Emmanuel Macronit, nga qendra, ka disa ngjashmëri me mënyrën sesi zoti Trump siguroi Shtëpinë e Bardhë - të paktën kur bëhet fjalë për aftësinë për të entuziazmuar një ushtri vullnetarësh, shumë prej të cilëve nuk kishin qenë më parë aktivë në politikë.

Dalja e Macronit në krye, është një mësim për politikanët e qendrës në Evropë sesi mund të mposhtin populizmin e së djathtës. Politikanët e qendrës, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta nxituan ta përgëzojnë zotin Macron. Edhe qeveria gjermane i kushtoi vëmendje zgjedhjeve dhe i uroi atij fat në raundin e dytë të votimit.

Zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel i uroi të djelën zotit Macron “gjithë të mirat” ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, përshëndeti rezultatet që e nxjerrin zotin Macron përpara zonjës Le Pen. “Jam i sigurtë se ai do të mposhtë ekstremin e djathtë, populizmin e ekstremit të djathtë dhe anti-evropianët në raundin e dytë," tha zoti Gabriel në Twitter.

Sikurse zoti Trump, kandidati Macron nuk ka pasur kurrë më parë një post të fituar me zgjedhje. 39 vjecari ka qenë bankier investimesh dhe për pak kohë ministër socialist i Ekonomisë — ai u emërua në post nga presidenti në largim Francois Hollande — dhe shndërrua nga një i panjohur, në favoritin për të fituar presidencën franceze në balotazhin e muajit të ardhshëm kundër Le Pen.

Skeptikët e minimizuan kandidaturën e zotit Macron duke e quajtur atë një “flluckë shampanje” që do të shfryej shumë shpejt. Por nuk ndodhi ashtu. Në më pak se një vit, progresisti që e quan veten si “as të majtë e as të djathtë”, ka ndërtuar me shpejtësi partinë e tij En Marche! (Përpara!). Ajo ka tani 250 mijë anëtarë – dyfishin e anëtarëve të Partisë Socialiste.

Që nga viti 1958, kur u krijua Republika e Pestë nga udhëheqësi francez i kohës së luftës, gjenerali Charles de Gaulle, asnjë kandidat i pavarur pa eksperiencë elektorale, nuk ka arritur t’i afrohet Pallatit Élysée.

Macron ka ndryshime të mëdha me zotin Trump kur vjen fjala për ideologji: ai është pro-globalizimit, pro-marrëveshjeve për tregëti të lirë, pro BE-së dhe mikëpritjes për imigrantët. Por ashtu si zoti Trump dhe populistët e krahut të djathtë të Evropës, Macron ka përfituar nga rritja e zemërimit të publikut ndaj partive tradicionale. Në fushatën elektorale Macron premtoi “një revolucion demokratik” për të përmbysur sistemin politik të fshehtë francez dhe ka qenë po aq kritik ndaj dogmave të partive të vjetra, sa edhe Le Pen.

Kur u sfidua për mungesën e përvojës në qeveri pas sulmit që ndodhi javën e kaluar, zoti Macron u kundërpërgjigj duke thënë se duke gjykuar nga mumgesa e efektivitetit e politikanëve me përvojë në Francë gjatë dekadave të fundit, preferonte të mos kishte eksperiencë.

Pjesa më e madhe e fushatës së tij u ngrit mbi entuziazmin e pasuesve të tij si edhe vetë karakterit të tij. Ata kanë mbushur stadiume në mitingje dhe kanë organizuar mijëra grumbullime të vogla në kafene dhe bare në mbarë vendin për të debatuar politikat dhe për të përfshirë në disktutime edhe skeptikët.

Pavarësisht nëse reformat që ata kërkojnë të shtyjnë janë për më shumë tregëti të lirë dhe liberalizim apo proteksionizëm dhe nacionalizëm, pretendentët që e pozicionojnë veten si të jashtëm nga sistemi politik, përfitojnë nga përbuzja publike e elitave, ashtu siç bënë si Macron edhe Le Pen të djelën, duke demaskuar partitë tradicionale të majta dhe të djathta. Por, ndërsa sfida e Le Pen-it vjen nga nacionalizmi, Macron ka krijuar një kryengritje populiste nga qendra e politikës franceze.

Në Francë, partitë tradicionale shkuan në krahët e tyre radikalë për të zgjedhur pretendentin e tyre presidencial, duke i lënë zotit Macron një hapësirë në qendër. Mbështetësit e tij mund të jenë ndryshe nga ata të zotit Trump – ata janë më intelektualë dhe të arsimuar – por ashtu si pasuesit e zotit Trump ata gjithashtu janë të lodhur nga dogmat e partive që kanë dështuar të sigurojnë qëndrueshmëri dhe siguri.

“Në Francë, Britani, Holandë, Austri dhe Shtetet e Bashkuara, të njëjtat grupe – intelektualë dhe punëtorë, të papunë dhe fermerë – po i bashkohen revoltës popullore” thotë Christophe Guilluy, autor i librit Muzgu i Elitës Franceze (Le crépuscule de la France d’en haut). "Përçarja mes fituesve dhe humbësve të tregut global, ka zëvendësuar ndarjen e vjetër në të djathtë dhe të majtë", argumenton ai.

Loja elektorale e Macronit ka qënë të bindë humbës të mjaftueshëm – pjesa më e madhe intelektualë por edhe votues të klasës punëtore – se ai ka disa politika pragmatiste që do të japin zgjidhje për sfidat me të cilat përballet Franca, që nga sistemi i pensioneve, ulja e taksave të strehimit dhe pakësimi i tatimeve dhe i regulloreve burokratike.

Tani në raundin e dytë do të paraqiten dy pikëpamje shumë të ndryshme për t’u zgjedhur nga votuesit: ajo e zotit Macron, e një France që ka besim të mbetet e hapur me Evropën dhe tregëtinë dhe mirëpret imigrantët e rinj dhe ata që janë në vend, dhe pikëpamja më tradicionale e paraqitur nga Le Pen, e një France që e sheh globalizimin si një rrezik për kulturën, vendet e punës dhe sigurinë e vendit.

Fitorja do të përcaktohet në pjesën më të madhe nga mënyra sesi do të votojë klasa punëtore në zgjedhjet e majit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG