Lidhje

Kriza politike, dështon dhe ndërmjetësimi europian

  • Armand Mero

Ndërhyrja e dy eurodeputetëve David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian dhe Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë, nuk arriti të çojë në një zgjidhje të krizës politike në vend. Dy eurodeputetët të cilët u përpoqën të ndërmjetësonin afrimin e pozicioneve mes palëve, paraqitën disa propozime që sipas një deklarate për shtyp të shpërndarë në mbrëmje kishin të bënin me “çështjen e dekriminalizimit, luftën kundër narkotrafikut, me masa teknike për të përmirësuar procesin zgjedhor, si dhe masa që do të rrisnin besimin politik”, shpjegon deklarata ndërsa shton se dy eurodeputetët “propozuan ide për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme të strukturave qeveritare para zgjedhjeve në mënyrë që të krijohej një besim afatgjatë në sistem”.

Në deklaratë jepen shpjegime dhe për qëndrimet që mbajtën palët ndaj këtyre propozimeve. “Nga ana e saj shumica ishte dakort me pikat e propozuara, me kusht që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kalojë në parlament”. Sipas burimeve, mësohet se shumica ka rënë dakort mes të tjerave që përveç masave më të rrepta ndëshkuese për shitblerjen e votës apo ndërhyrjet në procesin zgjedhore, data e zgjedhjeve të mund të shtyhet deri në 16 korrik, gjë të cilën deri më tani kryeministri e kishte konsideruar si të panegociueshme, e madje dhe të bëjë ndryshime thelbësore në kabinetin e tij. Po ashtu ndryshime mësohet se janë pranuar dhe në radhët e policisë, për emërimin e një zëvendës drejtor i Përgjithshëm i cili të ketë konsensusin e opozitës, si dhe lëvizje të tjera në nivele drejtuese, të cilat nisën që dje e pritet të vijojnë në ditët e ardhshme. Po ashtu ndër masat që lidhen direkt me zgjedhjet duket se është pranuar dhe opsioni që kreu i KQZ t’i kalojë opozitës, ndërkohë që është propozuar dhe që zgjedhja e presidentit të shtyhet për pas zgjedhjeve dhe propozimi i një figure konsensuale t’i lihet në dorë opozitës së re që do të dalë pas votimeve.

Por ajo që ka bërë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje, siç bëhet e qartë dhe nga deklarata e shpërndarë nga Delegacioni i Bashkimit europian, ka qenë çështja e Qeverisë teknike. “Partia Demokratike i qëndroi pozicionit të saj për caktimin e një kryeministri teknik dhe vënien në jetë të një sistemi elektronik për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundon deklarata e dy eurodeputetëve, në përfundim të përpjekjes së dytë që ata bënë mbrëmë me palët, pas takimeve të para, gjatë pasdites. Diskutimi i Qeverisë teknike nuk ishte përfshirë në platformën që dy eurodeputetët i paraqitën palëve si bazë për bisedimet mes palëve.

Pas deklaratës së lëshuar nga zyrat e BE-së në Tiranë, për bisedimet e dy eurodeputetëve, nga çadra përballë godinës së qverisë, kreu i opozitës Lulzim Basha, ja faturoi dështimin e zgjidhjes kryeministrit Edi Rama, i cili siç tha ai “refuzon qeverinë teknike të zgjedhjeve të lira si zgjidhjen e vetme, por edhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte dhe premisa të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Zoti Basha shpjegoi më tej se “Partia Demokratike ka rënë dakord me një numër të madh propozimesh të natyrës teknike, të cilat do të ndihmonin për të përshpejtuar procesin e dekriminalizimit dhe për të luftuar me të vërtetë drogën. Por, nuk mund të pranojmë kurrë që këto detyra, të cilat Edi Rama me vetëdije nuk i kreu gjatë kohës që ishte ne qëverisje, sepse beri të kundërtën duke sjellë kriminelët në parlament në krye të bashkive dhe institucioneve publike të vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një hambar droge për përfitime pasurore dhe të pushtetit të tij, ky njeri pra, që dështoi të bëjë detyrat e tij para shqiptarëve tash 4 vite, do të mund ti bënte ato në këto 4 javë që i kanë mbetur të mandatit të tij”.

Kreu i opozitës përsëriti dhe një herë se “kushti i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet qeveria teknike me mandatin popullor për të luftuar drogën, për të nxjerrë jashtë institucioneve kriminelët dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke përfshirë votimin dhe numërimin elektronik”, ndërsa parlajmëroi një përshkallëzim të betejës politike të opozitës. “Javën e ardhshme do të nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë, për t’i treguar Edi Ramës dhe tiranisë së krimit dhe drogës se, koha kur në Shqipëri bëheshin votime por jo zgjedhje, ka marrë fund një herë e mirë. Nuk do të ketë më kurrë votime dhe jo zgjedhje. Nuk do të ketë kurrë pushtet pa opozitë”, u shpreh zoti Basha.

Nga ana e tij kryeministri Rama pati vetëm një reagim të shkurtër në rrjetet sociale. “Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por, pa Vetingun s'ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”, shkroi zoti Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG