Lidhje

Kriza, Meta mbledh partitë parlamentare

  • Armand Mero

Kryetari i parlamentit Ilir Meta ka thirrur për sot në mbrëmje një mbledhje të partive parlamentare. Lëvizja e tij vjen një ditë pas dështimit të përpjekjeve të dy eurodeputetëve McAllister e Fleckenstein për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës. Opozita nuk pranoi propozimet e kompromisit duke këmbëngulur në nevojën e një qeverie teknike.

Ndërsa mundësia e gjetjes së një zgjidhjeje duket gjithnjë e më e largët, kryetari i parlamentit Ilir Meta, ka vendosur të bëjë një tjetër përpjekje duke thirrur një tryezë të të gjitha forcave politike parlamentare. Gjatë paradites ai pati një takim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas priti në zyrën e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Donald Lu, të Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin dhe të OSBE-së Bernd Borchardt.

Mbetet ende e paqartë se çfarë shpreson të arrijë kryetari i parlamentit me takimin e mbrëmjes. Drejtuesi i opozitës Lulzim Basha do të vendosë nëse do të marrë pjesë, pas mbledhjes që kishte përcaktuar më parë me aleatët e tij.

Qëndrimi i tij mbetet i palëkundur. Opozita refuzoi mbrëmë një sërë propozimesh, të ofruara nga dy ndërmjetësit europian David McAllister, një përfaqësues i lartë i së djathtës europiane dhe Knut Fleckentein, relatori për Shqipërinë në parlamentin europian, që nga shtyrja e datës së zgjedhjeve, te ndryshimet në qeveria apo dhe një sërë garancish për zgjedhjet dhe dekriminalizimin,. Propozimet u pranuan nga shumica, ndërkohë që zoti Basha këmbënguli për qeverinë teknike.

Ai edhe sot u shpreh se opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë, "as poste ministrash, as post Presidenti, asnjë post për të bërë kompromis të ndyrë në kurriz të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë vendimi i këtij bashkimi popullor. Kemi kërkuar qeveri teknike, me kryeministër teknik, me ministra teknikë të cilët gëzojnë besimin e gjithë palëve në politikë. Por Edi Rama refuzon të ndahet nga karrikia e tij”.

Nesër parlamenti do të mblidhet për votimin e tretë të presidentit të ri të vendit, dhe ende nuk ka një kandidat. Me shumë gjasa, i gjithë procesi do të shkojë drejt dështimit, gjë që do e çonte automatikisht vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditëve, duke rihapur afatet e rregjistrimit të partive.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG