Lidhje

Meta kritika ndaj qëndrimit të PD


Kryetari i parlamentit Ilir Meta, dhe njëkohësisht aleati kryesor i socialistëve të kryeministrit Edi Rama tha mbrëmë se opozitës i janë bërë mjaft oferta dhe se ajo duhet të tregojë vullnet që të përfshihet në procesin e zgjedhjeve. Ai bëri këto komente në përfundim të takimit me partitë parlamentare ku Partia demokratike dhe forcat e tjera në opozitë nuk morën pjesë. Zoti Meta deklaroi se është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin

Dështimi i përpjekjeve të dy eurodeputetëve David McAllister dhe Knut Fleckenstein, për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës politike por dhe bojkotimi që opozita i bëri mbrëmë takimit të thirrur prej tij me partitë parlamentare, duket se nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë edhe mbi kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Ishte ai që propozoi ndërhyrjen e Partisë Popullore europiane, grupimit të qendrës së djathtë ku bën pjesë dhe Partia Demokratike. Dhe zoti McAllister është zëvendëspresident i PPE-së. Gjatë gjithë kohës, zoti Meta ka qenë njeriu që në rradhët e shumicës, ka shmangur mbylljen e kanaleve të komunikimit me opozitën, duke qenë madje më kritik me aleatin e tij socialist, kryeministrin Edi Rama.

Ndërsa mbrëmë, ndonëse duke ruajtur sërish tonet e moderuara, ai u shpreh se “është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin”. Kryetari i parlamentit kujtoi se “falë përpjekjeve të bëra edhe nga partnerët ndërkombëtar, por edhe falë përpjekjeve të bëra edhe nga unë, edhe si Kryetar Kuvendit edhe si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë bërë disa hapa të rëndësishëm përpara nga ana e mazhorancës aktuale, për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi. Por – theksoi ai - kuptohet që opozita ka një axhendë të sajën politike, që për fat jo të mirë nuk po i shërben këtij procesi dhe që nuk besoj se do t’i shërbejë edhe vetë opozitës”.

Shumica ra dakort me propozimet e bëra nga dy eurodeputetët si një mundësi për kapërcimin e krizës. Disa prej këtyre propozimeve, ishin avancuar më parë dhe nga zoti Meta. Por kryetari i opozitës Lulzim Basha këmbënguli në çështjen e qeverisë teknike. “Mendoj që i janë bërë mjaft oferta Partisë Demokratike, por edhe PD duhet të tregojë vullnet që të përfshihet në këtë proces”, tha zoti Meta, ndërsa nënvizoi se “qeveria teknike nuk është diçka që mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme dhe në rast se çdo përpjekje synon apo personalizohet thjesht tek një apo edhe disa individë, atëherë humbasim fokusin nga standardet që ka nevojë Shqipëria, që ka nevojë qytetarët shqiptarë dhe nuk ndihmojmë zgjidhjen dhe dialogun”.

Kreu i parlamentit madje ironizoi qëndrimin e opozitës e cila sipas tij, duket se shqetësohet më shumë se si të mbetet jashtë zgjedhjeve të 18 qershorit. “Ka një shqetësim nga opozita se mos bëhet ndonjë ndryshim që mund t’i krijojë afate të reja opozitës që të regjistrohet në zgjedhje dhe është shumë e shqetësuar për këtë opozita se mos kjo do të cilësohet si një problem edhe nga raporti i ardhshëm i burokratëve të ODIHR-it, por nuk e shqetëson në fakt opozitën që në këtë mënyrë do t’i mohohej mundësia opozitës që të regjistrohet në zgjedhje”.

Kryetari i parlamentit megjithatë nënvizoi se “fakti që nuk kemi arritur një marrëveshje tregon që këto përpjekje nuk janë shteruar”, ndonëse hapësirat sa vijnë e ngushtohen. E djathta duket e vendosur në rrugën e nisur. Edhe mbrëmë në përfundim të takimit mes kryetarit demokrat Basha dhe aleatëve të tij, u shpërnda një deklaratë në emër të koalicionit opozitar ku “konfirmohet vendosmëria për të mos lejuar votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, duke nisur nga Kavaja. Në funksion të këtij vendimi, të gjitha partitë politike anëtare të koalicionit pozitar, rikonfirmuan angazhimin masiv politik dhe popullor për mosbindje civile. E vetmja zgjidhje për krizën politike në vend është krjimi pa vonesë i qeverisë teknike dhe dhënia e mandatit për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme”, thekson deklarata e partive të opozitës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG