Lidhje

Dhuna në Maqedoni, Tirana thirrje për qetësi


Autoritetet në Tiranë reaguan në mbrëmje lidhur me aktet e dhunës në parlamentin e Maqedonisë, duke bërë thirrje për qetësi dhe maturi. Kryeministri Edi Rama, duke folur për situatën e krijuar në Shkup gjatë një interviste në emisionin “Top Story” në Top Channel, u shpreh se “është një moment vërtetë dramatik, ku realisht duhet shumë qetësi. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të mos bien pre e provokimeve”. Ai u shpreh se uronte “që një orë e më parë policia dhe forcat e rendit në Maqedoni të bëjnë punën e të mbrojnë njerëzit dhe të mos lejojnë që dhuna të kthehet në një mjet të justifikueshëm”.

Në një deklaratë zyrtare ministria e Jashtme shqiptare theksoi se “përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.

U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetësi, e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm”. Ministria e Jashtme shqiptare nënvizon se mbështet “thirrjen e ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qënësishëm politik në Maqedoni”.

Edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta shprehu shqetësim për situatën në Maqedoni, duke i bërë thirrje “autoriteteve vendase të distancohen nga dhuna, si edhe të marrin masa të menjëhershme për ndalimin e dhunës dhe pasojave të saj. Stabiliteti i Maqedonisë mbetet shumë i rëndësishëm dhe kyç për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe të ardhmen e tij. Në këto momente vendimtare dhe kritike për Maqedoninë dhe për rajonin kërkohet maturi, qetësi, dialog politik dhe veprime të cilat t’i shërbejnë rikthimit të paqes sociale dhe normalizimit të situatës”, theksoi zoti Meta.

Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, nga studio e emizionit “Opinion” në TV Klan, shprehur “mbështetjen totale për shqiptarë e Maqedonisë dhe faktorin politik shqiptar” duke kërkuar që “të qëndrojnë të bashkuar dhe gjakftohtë përballë provokimeve dhe për të bashkërenduar çdo aksion politik në funksion të stabilitetit dhe demokracisë. Interesi ynë si shqiptarë, dhe interesi parësor i Shqipërisë është një Maqedoni e qetë, demokratike dhe me një perspektivë euroatlantike”, u shpreh zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG