Lidhje

Meta dorëhiqet nga drejtimi i LSI-së


Në Shqipëri zoti Ilir Meta njoftoi sot dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, pas zgjedhjes një ditë më parë si Presidenti i ri i vendit për 5 vitet e ardhshme.“Edhe pse mund të vazhdojë të jem kryetar i LSI-së, deri në 23 korrik, kam vendosur që sot në mbrëmje, pas përfundimit të listave të kandidatëve për deputet nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të heq dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese në Lëvizjen Socialiste për Integrim”, deklaroi zoti Meta në një dalje publike.

Ai shpjegoi se vendimi i tij lidhej më tepër me aspektin etik dhe moral, pasi nuk mund të bënte fushatë për LSI-në me premtime për 4 vitet e ardhshme duke qenë se që nga 24 korriku do të mbulojë detyrën e Kreut të Shtetit.

Ndërkohë, zoti Meta, do të vazhdojë të mbajë detyrën e kryetarit të Parlamentit deri ditën e betimit si President “për arsye të vetë lidhjes midis këtyre dy institucioneve edhe në planin kushtetues, edhe në planin institucional. Por, edhe për faktin se të enjten e ardhshme do të jetë seanca e fundit plenare”.

Presidenti i zgjedhur deklaroi se gjatë këtyre ditëve, ai do të vazhdojë të përpiqet për të gjetur mundësi për zgjidhjen e krizës politike në vend, në mënyrë që siç tha ai, të evitohet cdo përkeqësim i situatës. Zoti Meta theksoi dhe një herë se “e rëndësishme është që opozita të marrë pjesë në zgjedhje dhe opozita gjithashtu të kontribuojë në mënyrë bashkëpunuese në orët dhe në ditët që vijnë”.

Por e djathta e ka sulmuar zgjedhjen e tij si President duke e cilësuar si “kapitullin e fundit të një pazari politik” dhe “aktin e fundit të një teatri kukullash”, deklaroi sot kryetari Lulzim Basha. Opozita vazhdon prej më shumë se dy muaj protestën për të kërkuar një qeveri teknike që do të garantonte sipas saj zgjedhje të lira e të ndershme. Ajo nuk është rregjistruar për të marrë pjesë në process, dhe ka paralajmëruar se që prej javës së ardhshme do të ndërmarrë aksione të mosbindjes civile.

Sot në mesnatë skadon afati për rregjistrimin e kandidatëve për deputet. Socialistët do të mblidhen në mbrëmje për të miratuar listën. Lsi-ja ndërkohë është në përfundim. Por Partia Demokratike deklaroi sot se sipas saj afati ka përfunduar mesnatën e së premtes. “Për rrjedhojë çdo regjistrim që do të bëhej gjatë ditës së sotme do të ishte i paligjshëm sepse do të ishim para 49-të ditësh e disa orësh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka më asnjë mundësi ligjore të regjistrojë lista. Nëse e bën është duke shkelur ligjin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe askush tjetër nuk ka asnjë mundësi ligjore për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, për të ndryshuar rregullat”, deklaroi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi duke shpjeguar se “afati 50 ditor para ditës së zgjedhjeve referuar nenit 125 të Kodit Zgjedhor, llogaritet duke përjashtuar ditën e zgjedhjeve. Kjo mënyrë përllogaritje e afateve është tashmë një praktikë e ndjekur në të gjitha proceset zgjedhore të mëparshme”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG