Lidhje

Erdogan, pyetje për mbështetjen amerikane ndaj milicive kurde


Turkey Referendum
Turkey Referendum
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha dje se do t’i kërkojë informacion presidentit amerikan, Donald Trump për imazhet që tregojnë flamuj të milicisë siriano-kurde, Njësive për Mbrojtjen e Popullit ose YPG, në makinat e një autokolone amerikane në Sirinë Veriore. Shtetet e Bashkuara dislokuan autoblinda përgjatë kufirit sirian me Turqinë në fund të javës së kaluar, në një përpjekje për të parandaluar përleshjet mes Turqisë dhe luftptarëve kurdë në Siri.

Autokolona me flamuj amerikanë qarkulluan përgjatë kufirit sirian me Turqinë të premten dhe të shtunën. Por në mediat sociale qarkulluan gjithashtu pamje ku shfaqeshin flamuj kurdë në automjetet amerikane.

"Do t’ia tregojmë këto pamje Presidentit Trump në takimin që do të kemi më 16 maj."

Shtetet e Bashkuara i mbështesin milicitë kurde që luftojnë ekstremistët e Shtetit Islamik, por Turqia, vend aleat i Amerikës, i quan ata grupe terroriste.

"Përderisa jemi kundër terrorizmit ndërkombëtar si partnerë, ne do t’ua tregojmë fotografitë dhe t’i pyesim se për çfarë bëhet fjalë. Nëse lufta kundër terrorizmit nuk kryhet me një platformë të përbashkët, ajo që po na ndodh ne sot, do t’i ndodhë dikujt tjetër nesër”.

Demonstrimi i forcës në anën siriane të kufirit, vjen pasi forcat turke ndërmorën goditje ajrore kundër forcave kurde në Siri. Kurdët e Sirisë, dolën në protestë duke thënë se sulmet shkaktuan vdekjen e civilëve në atë zonë.

"Që në mëngjes herët, banorët filluan të shkonin drejt Tel Hamisit për të denoncuar sulmin e Erdoganit ndaj qytetit Karachok dhe vrasjen me urdhër të tij të civilëve të pafajshëm në atë zonë. Ata denoncuan gjithashtu sulmin e Erdoganit në Rojava. Që synon të trazojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon”.

Presidenti turk paralajmëroi dje me rifillim të veprimeve ushtarake kundër kurdëve në Irak dhe Siri.

"Nuk do të japim datën dhe kohën se kur do të vijmë. Por ata e dinë që ushtria turke mund të shkojë në çdo kohë në vende të tilla. Ata duhet të kenë frikë dhe jo ne të jemi të shqetësuar”.

Qeveria turke është e përfshirë në luftën kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik si në Siri, ashtu edhe në Irak, por Ankaraja druhet se milicitë kurde në ato vende mund të bashkohen me kryengritësit kurdë në Turqi për të shkëputur një pjesë territori për një shtet të pavarur kurd.
Presidenti Trump ka thënë se synimi kryesor amerikan në Siri është që të mposhtë Shtetin Islamik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG