Lidhje

Raporti i “HRW”: Siria ka përdorur gaz nervor në 4 sulme të fundit


Organizata “Human Rights Watch” ka akuzuar forcat qeveritare siriane për përdorimin e gazit nervor vdekjeprurës në katër raste në muajt e fundit.

Këtu organizata përfshin dhe sulmin me armë kimike të 4 prillit në Khan Sheikoun, që vrau rreth 100 njerëz.

Në një raport të lëshuar të hënën, grupi që monitoron të drejtat e njeriut, tha se forcat besnike ndaj udhëheqësit sirian Bashar al-Assad kanë kryer sulme me gaz në dhjetorin e vitit 2016 dhe marsin e vitit 2017.

"Përdorimi agjentëve nervorë nga ana e qeverisë përbën një shkallëzim vdekjeprurës dhe është pjesë e një modeli të qartë", tha Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i “Human Rights Watch”. "Në gjashtë muajt e fundit, qeveria ka përdorur avionë luftarakë, helikopterë dhe forca tokësore për të shpërndarë gazin klorinë dhe sarinë në Damask, Hama, Idlib dhe Alepo. Ky përbën përdorim të gjerë dhe sistematik të armëve kimike ", tha ai.

Nëpërmjet raportit, i kërkohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë menjëherë një rezolutë "që u bën thirrje të gjitha palëve të bashkëpunojnë plotësisht me hetuesit e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Gjithashtu kërkohet miratimi i sanksione ndaj cilitdo që hetuesit e organizatës së Kombeve të Bashkuara e gjejnë përgjegjës për sulmet e fundit kimike apo në të shkuarën në Siri”.

Rusia ka vendosur gjashtë herë veton vitet e fundit për të mbrojtur Sirinë nga veprime të Këshillit të Sigurimit. Siria ka mohuar se disponon armë kimike.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë "mjaft të sigurta" se sulmi vdekjeprurës i 4 prillit në Khan Sheikun "ishte planifikuar, drejtuar dhe ekzekutuar nga forcat e regjimit sirian".

Pas këtij incidenti, Presidenti Donald Trump urdhëroi një sulm me raketa mbi bazën ajrore siriane që besohet të jetë burimi i armëve kimike që vranë një numër civilësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG