Lidhje

Trump: "Qeveria ka nevojë për një mbyllje të mirë"


Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili nuk arriti të marrë miratimin e Kongresit për shumë nga shpenzimet dhe përparësitë politike për pesë muajt e ardhshëm, tha të martën se qeveria "ka nevojë për një mbyllje" në shtator”, kur ligjvënësit të fillojnë të debatojnë mbi planin e financimit të agjencive financiare për vitin 2018.

Në një koment në Twitter, Presidenti Trump fajësoi rregullat e Senatit për rezultatin e betejës së tij të parë mbi shpenzimet federale. Republikanët kanë në Senat një shumicë prej 52-48. Por një pjesë e mirë e ligjeve kërkojnë një shumicë prej 60-votash për t’u miratuar, gjë që në fakt i detyron ligjvënësit republikanë dhe demokratë të arrijnë kompromise.

Zoti Trump tha se arsyeja që republikanët nuk mund të dalin fitues në të gjitha përparësitë që parashikon plani i tij buxhetor prej një trilion dollarësh, i cili paguan për shpenzimet qeveritare deri më 30 shtator, është se republikanët kanë nevojë për 60 vota në Senat.

Presidenti tha se partia e tij "ose duhet të zgjedhë më shumë senatorë republikanë në vitin 2018 ose të ndryshojë rregullat e votimit në Senat.” “Vendi – tha ai, - ka nevojë për një mbyllje të mirë të agjencive qeveritare në shtator për të vënë rregull!"

Agjencitë qeveritare në SHBA nuk janë mbyllur që nga tetori i vitit 2013, kur shumë prej tyre u mbyllën për 16 ditë gjatë një debati për financimin e reformave të kujdesit shëndetësor të Presidentit Barak Obama.

Në negociatat e shpenzimeve gjatë kësaj jave, Presidenti Trump humbi në kërkesën e tij për fondet me të cilat do të fillonte ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën për të penguar imigracionin e paligjshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG