Lidhje

Shefi i FBI-së përballë pyetjeve të vështira në Senat


Shefi i FBI-së James Comey tha se nëse dikush mendon se agjencia e tij mund të ketë pasur ndikim te fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, kjo e bën të ndjejë një farë neverie.

Disa ditë përpara votimeve, FBI-ja rihapi një hetim rreth përdorimit të një serveri privat nga kandidatja demokrate Hillary Clinton kur ishte sekretare e shtetit.

Zoti Comey, drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit, tha përpara një komisioni të Senatit se kishte qenë në një dilemë të madhe para se ta bënte publik rihapjen e hetimit.

Hetimi rihapej ndërkohë që vetëm disa muaj më parë hetuesit kishin deklaruar se zonja Clinton nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Por zoti Comey tha se do të kishte qenë "katastrofike" nëse nuk do ta bënte publik informacionin.

"Ishte një zgjedhje e vështirë, por unë ende besoj se ishte e drejtë," tha shefi i FBI-së. “Të fshihje këtë hetim, kjo do të kishte qenë vdekje për FBI-në”, tha ai.

FBI-ja normalisht përpiqet të mos i bëjë publike hetimet rreth kandidatëve përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ndikojë në rezultatin e votimit.

Por zoti Comey tha se "për asnjë çast të vetëm" nuk kishte menduar se rihapja e hetimit mund ta ndihmonte zotin Trump të fitonte në zgjedhjet e nëntorit.

Të martën, zonja Clinton fajësoi pjesërisht zotin Comey për humbjen në zgjedhje. Ajo tha se ishte duke fituar, kur vetëm 11 ditë përpara votimeve, zoti Comey bëri publik hetimin e ri.

Hetimi erdhi pasi FBI-ja zbuloi në një kompjuter mijëra e-maile të zonjës Clinton, të kohës kur ajo kishte qenë sekretare e shtetit.

Kompjuteri i përkiste ish-kongresmenit Anthony Weiner, bashkëshorti i ndarë i zonjës Huma Abedin, ndihmëse kryesore e zonjës Clinton.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG