Lidhje

Lajmet e rreme dhe sfidat e gazetarisë


Në SHBA, mediat e financuara me fonde publike, private dhe të qeverisë federale thonë se gazetaria e sotme përballet me shumë sfida, duke përfshirë lajmet e rreme. Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve dhe Fakulteti i Mediave të Universitetit George Washington mbajtën një forum mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve si dhe mbi rolin që luajnë gazetarët amerikanë në trasmetimet për jashtë.

Ekspertët në forum folën mbi urinë në rritje të publikut për informacion të saktë dhe përpjekjet e disa qeverive për ta kufizuar këtë lloj informacioni.

"Ata përpiqen të kontrollojnë informacionin në vendet despotike por edhe në disa vende që neve mund të na duken demokratike. Kontrolli i informacionit është bërë një mjet kryesor i qeverisë së tyre. Në këto vende është bërë jashtëzakonisht e vështirë madje e rrezikshme të mbledhësh lajme."

John Lansing, kreu i Bordit të Transmetimeve, tha se informacioni në këto vende po kthehet gjithnjë e më shumë në një armë.

"Shihni se çfarë po ndodh dhe kjo vjen nga Kremlini. Nuk janë thjesht lajmet e rreme. Është më shumë një strategji për të treguar se faktet e thjeshta nuk ekzistojnë më. Tani faktet po sfidohen në mbarë botën nga këto regjime dhe kjo po ndodh edhe në Turqi.”

Javën e kaluar organizata Reporterët pa Kufij publikoi treguesin vjetor të lirisë së shtypit në botë. Rusia zinte vendin e 148 nga 180 vende gjithsej. Organizata thotë se nga viti 2012, mediat kryesore të pavarura ose janë vënë nën kontrollin e qeverisë, ose janë detyruar të zhduken. Turqia ra në vendin e 155, ose 5 vende më poshtë.

Sipas organizatës Freedom House, liria e shtypit në botë ka rënë në nivelin më të ulët në 13 vjet. Një nga arsyet janë kërcënimet e reja ndaj gazetarëve dhe mediave në demokracitë e mëdha.

"Jo vetëm që është e vështirë për ne ta sjellim botën më pranë amerikanëve, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta sjellë Amerikën në botë për shkak të klimës që është krijuar. Nuk është vetëm çështja e ligjit apo e rrezikut, por e respektimit të shtypit", thotë Elise Labott, gazetare e rrjetit CNN.

Presidenti Donald Trump e ka quajtur median "armik të popullit amerikan" dhe ka akuzuar disa media amerikane se përhapin "lajme të rreme". Organizata Reporterët pa kufij thotë se sulmet e zotit Trump ndaj mediave po i nxitin udhëheqësit e tjerë në botë të keqtrajtojnë mediat e tyre.

Në përgjigje të pyetjeve nëse Zëri i Zmerikës do të mbetet i paanshëm dhe nuk do të bëhet një zë i administratës Trump, zoti Lansing tha se njerëzit duhet të kuptojnë se një gjë e tillë do të ishte e paligjshme në bazë të Kartës së Zërit të Amerikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG