Lidhje

Kriza politike në Shqipëri rrit trafikun e refugjatëve drejt Greqisë

  • Raimond Kola

Policia greke tha se nga rreth 1700 refugjatë të paligjshëm të bllokuar në Greqi gjatë muajit Prill rreth 1.000 prej tyre ishin nga Shqipëria. Refugjatët u riatdhesuan në pikat e kalimit Kufitar me Shqipërinë përmes programeve vullnetare të riatdhesimit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim. Refugjatët e tjerë më të shumtë në numër të bllokuar në Greqi ishin nga Pakistani, Algjeria, Iraku, Bangladeshi, Gjeorgjia dhe Afganistani.

Sipas të dhënave të Policisë greke që nga fillimi i vitit numri i refugjatëve të dëbuar nga Greqia ishte 6.269, persona pjesën dërmuese të të cilëve e përbëjnë shqiptarët. Kriza politike në Shqipëri ka thelluar problemet ekonomike që ka vendi dhe sidomos ato të punësimit. Qindra të rinj, që vitin e shkuar u punësuan në plantacionet e marijuanës në periudhën e pranverës, tani po kërkojnë të emigrojnë.

Partitë kryesore politike në Shqipëri e kanë në qendër të programit të tyre kanë punësimin, por emigrimi i madh i të rinjve shqiptarë, i rishfaqur në shifra të shtuara edhe me Greqinë, flet për përmasat gjithnjë e në rritje të papunësisë në Shqipëri. Sipas një raporti të policisë greke publikuar pak ditë më parë përgjatë vitit 2016 u bllokuan në territorin grek 11,333 shtetas shqiptarë pa dokumente pjesa më e madhe e të cilëve janë riatdhesuar në Shqipëri pas qëndrimit edhe me ditë në qelitë greke të paraburgimit.

Të rinjtë shqiptarë vijojnë të emigrojnë në Greqi pa dokumente qëndrimi duke shfrytëzuar rrjetet e trafikut me shpresën për një punësim sezonal. Për nga numri i lartë i emigrimit shqiptarët renditen në Greqi pas refugjatëve nga Siria, Iraku, Pakistani, Afganistani dhe Afrika. Sipas Raportit Vjetor të Policisë greke mbi Kriminalitetin për vitin 2016, të rinjtë shqiptarë janë aktivë edhe në rrjetet e organizimit të trafikut të paligjshëm. Sipas të dhënave të policisë greke përgjatë vitit 2016 u arrestuan 111 shqiptarë për këtë vepër penale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG