Lidhje

Franca zgjedh Macronin, refuzon Le Penin


Votimi në Francë ishte historik. Mund të thuhet se për herë të parë në republikën moderne, partitë tradicionale u lanë jashtë garës presidenciale.

Ish bankieri dhe ish ministri i ekonomisë Emmanuel Macron bëhet presidenti më i ri i Francës në moshën 39 vjeçare. Ai garoi si i pavarur dhe tashmë mbi të qëndron presioni për të shënuar një fillim të ri, në një vend të ndarë.

"Të dashur qytetarë, sonte po kthejmë një faqe të re në historinë tonë të gjatë. Dua që ajo të jetë një faqe e shpresës dhe e besimit të përtërirë. Jo më larg se nesër jeta jonë politike do të ripërtërihet. Pranimi i pluralitetit dhe vitalitetin tonë demokratik, do të jetë në zemër të veprimit tim që nga dita e parë ", tha presidenti i zgjedhur Emmanuel Macron.

Në festën e fitorës së Macronit, në oborrin kryesor të Luvrit në Paris, u shfaqën shprehje lehtësimi.

"I frikësohesha Marine Le Penit sepse mbolli ndarje në këtë vend. Kjo ishte arsyeja pse nuk kisha zgjidhje tjetër përveçse të mbështesja Emmanuel Macronin", thotë Frank Kamandoko mbështetës i Macronit.

Në një vend tradicionalisht krenar për hapjen e tij, fushata nxori në pah dallime lidhur me çështjen e punësimin, qasjen për të luftuar terrorizmin dhe qëndrimin ndaj pakicës myslimane në Francë.

Kjo ishte një fushatë e shëmtuar, në kujtesën e shumë votuesve, dhe më agresivja, një fushatë që ushqeu frikën e fashizmit.

"Nuk pajtohem me Macronin, me politikat e tij, por të paktën e di se me atë president, do të kem mundësinë të dal në rrugë dhe të protestoj. Ndërsa me Marine Le Penin nuk e di nëse do ta ruaja të drejtën për t’u shprehur" thotë Brigitte Pons votuese franceze.

Ndërkohë Marine Le Pen u kërkoi mbështetësve të saj të shohin përpara.

"U bëj thirrje të gjithë patriotëve të bashkohen me ne për të marrë pjesë në luftën politike vendimtare që fillon sonte. Franca do të ketë nevojë më shumë se kurrë për ju në muajt e ardhshëm”.

Sipas autoriteteve, 4 milionë francezë abstenuan në zgjedhje.

Shiu i Parisit nuk i pengoi votuesit të rreshtoheshin herët në mëngjes në distriktin e 12-të të qytetit, në një shkollë ku një pllakë kujton 15 fëmijë hebrenj që u çuan në kampet e vdekjes naziste.

"Shumica e francezëve kanë frikë nga Marine Le Peni, kanë frikë nga e djathta ekstreme dhe e dinë se Fronti i saj Kombëtar nuk është i përgatitur për të marrë pushtetin. Nëse e marrin, ndarjet në shoqërinë franceze do të rriten në një mënyrë shumë të rrezikshme, duke shpënë në dhunë. Pra, në mënyrë të arsyeshme, francezët votuan Macronin kundër Marine Le Penit", thotë Eric Dupin analist politik.

Kjo ishte një votë historike, kur për herë të parë në republikën moderne partitë tradicionale u lanë jashtë garës presidenciale.

Votuesit francezë zgjodhën një ndryshim të kujdesshëm dhe jo revolucion.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG