Lidhje

Pasojat e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin maqedonas


Në Maqedoni, Prokuroria ka refuzuar t'i cilësojë si vepra të rënda sulmet e dhunshme të kohëve të fundit në parlament. Kjo ka nxitur nervozizëm tek një pjesë e partive politike dhe te opinioni më i gjerë, që e shikojnë prokurorinë si vegël të pushtetit në largim. Siç njofton korrespondenti ynë në Shkup Isak Ramadani, Lidhja Social Demokrate këmbëngul se më 27 prill pati përpjekje për likuidim të deputetëve, ndërsa prokuroria deri tani ka ngritur akuza vetëm ndaj nëntë personave për veprën "pjesëmarrje në turmë".

Prokuroria themelore publike në Maqedoni po nxitë mjaft pakënaqësi dhe reagime në lidhje me hetimet dhe masat e caktuara ndaj personave të përfshirë në dhunën e përgjakshme kundër deputetëve mbrëmjen e 27 prillit. Deri tash, asnjë prej të dyshuarve nuk është akuzuar për veprën “tentim për vrasje”, siç kërkojnë, sidomos zyrtarët e Lidhjes Social Demokrate, të cilët, krahas Ziadin Selës së Aleancës për shqiptarët, ishin cak i sulmeve. Shumë nga personat e dyshuar pas marrjes në pyetje në prokurori janë lënë të lirë, u janë caktuar masat e arrestit shtëpiak apo masa të ngjashme si: pengesa për të marrë pjesë në protesta. Rastet, sipas prokurorisë themelore, po procedohen për “pjesëmarrje në turmë”. Por nga dhjetra sulmuesit e regjistruar nga kamerat televizive dhe ato të sigurisë së parlamentit, deri tash vetëm nëntë akuzohen për “pjesëmarrje në turmë që do të pengonte personat zyrtarë në kryerjen e detyrës”.

Një numër i pjesëtarëve të bandave të sulmuesve janë identifikuar si paramilitarë në konfliktin e vitit 2001, apo të afërt me zyrtarë të partisë VMRO-DPMNE të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ekspertë ligjorë vlerësojnë se ajo që ndodhi në parlament ishte një synim kriminal për të penguar transferimin e qetë të pushtetit tek shumica e re parlamentare dhe se kjo gjë duhet dënuar në mënyrë të ashpër.

Zoti Gruevski edhe më parë kërcënonte se populli jashtë parlamentit nuk do të rrinte duarkryq nëse shumica e re parlamentare do të zgjidhte kryetarin e parlamentit apo të miratonte qeverinë.

Edhe komuniteti ndërkombëtar është i interesuar në lidhje me zbardhjen e rasteve përmes hetimeve të shpejta dhe pa pengesë dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.

Ambasadori amerikan, Jess Baily dhe ai francez Kristian Timonie në takime të ndara me kryetarin e ri të parlamentit, Talat Xhaferi ia kanë uruar postin atij dhe kanë biseduar për zhvillimet politike në Maqedoni. Vendi drejtohet nga një qeveri teknike që kishte mandat vetëm për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG