Lidhje

Debati i ligjit ObamaCare në Kongres


Obamacare repeal

Senati amerikan fillon punën për një çështje që ndikoi tek ndryshimi i kontrollit të Kongresit në vitin 2010 dhe që mund të ketë të njëjtin efekt këtë vit: Sistemi i kushtueshëm dhe i ndërlikuar shëndetësor amerikan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton se Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projekt-ligj për shfuqizimin e ligjit të ish-Presidentit Barack Obama për kujdesin shëndetësor, por ende përballet me pengesa të mëdha.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve realizuan premtimin që bënë para shtatë vjetësh: shfuqizimin dhe zëvendësimin e të ashtuquajturit Obamacare. Ata e festuan më pas në Shtëpinë e Bardhë.

“Është një ligj shumë i mire. Dhe mendoj se do të përmirësohet edhe më shumë.”

Por projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve nuk ka shumë shanse në Senat, sipas pohimeve dhe të anëtarëve republikanë e demokratë me peshë.

“Ne nuk do të punojmë me projekt-ligjin e Dhomës së Përfaqësuesve. Senati do të hartojë një variant të ri. Dhe jam e bindur se do të punojmë aq kohë sa duhet për të bërë atë që duhet”.

“Paketa Trumpcare nuk do të bëhet kurrë realitet. Nuk do të bëhet kurrë ligj. Ne do të punojmë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, duke mbajtur në fuqi ligjin Obamacare dhe duke e përmirësuar atë”, tha senatori Schumer.

Por pjesa më konservatore e Republikanëve thotë se rritja e çmimeve të sigurimeve dhe ndërprerja e mbulimit shëndetësor në shumë shtete, ligji Obamacare nuk mund të mbijetojë.

“Kujt i shërben Obamacare, sidomos një personi me sëmundje, nëse nuk siguron dot një plan për kujdes shëndetësor?”, tha kryetari Paul Ryan.

Demokratët kundërshtojnë, duke thënë se sado defekte të ketë ligji aktual, plani Ii republikanëve do të ishte më i keq dhe nuk e çon në vend premtimin e presidentit ndaj popullit amerikan.

“Sigurime për të gjithë, me kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë. Ky projekt-ligj as nuk i afrohet këtij objektivi”, tha zoti Hoyer.

Disa ligjvënës shpresojnë për bashkëpunim mes demokratëve dhe republikanëve.

“Do të dëshiroja të krijonim një grup dypartiak për të zgjidhur këtë problem”, tha zonja Collins.

Republikanët morën kontrollin e Dhomës pasi u miratua ligji i Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor në vitin 2010. Tani që republikanët po merren me reformimin e kujdesit shëndetësor, demokratët shohin një shans politik.

“Republikanët kanë vite që ankohen për Ligjin e Kujdesit Shëndetësor. Tani le ta mbrojnë atë që bënë sot”, tha zonja Pelosi.

Kujdesi shëndetësor u kushton amerikanëve një në çdo gjashtë dollarë që shpenzojnë dhe ka qenë vazhdimisht një temë që ka ngjallur debate dhe ka mobilizuar votuesit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG