Lidhje

Aktivisti kinez tërheq në gjyq akuzat për torturë


Juristi kinez i të drejtave të njeriut Xie Yang tërhoqi papritur në gjykatë deklaratën e tij të mëparshme se ishte torturuar gjatë mbajtjes në burg. Ai gjithashtu u vetëdeklarua fajtor për akuzën e përmbysjes së pushtetit shtetëror dhe për prishje të rregullit gjatë procesit gjyqësor.

“Të gjithë duhet të nxjerrin mësim prej rastit tim dhe të sillen në përputhje me kuadrin ligjor duke iu shmangur përdorimit nga fuqitë perëndimore kundër Kinës. Dua të vetëshpallem fajtor, të pendohem dhe të kërkoj ndjesë sinqerisht”, deklaroi Xie Yang në sallën e gjyqit.

Deklarata e tij u bë gjatë seancës së djeshme gjyqësore në qytetin Changsha.

Zoti Xie u arrestua në korrik të vitit 2015, gjatë një operacioni që ndaloi rreth 300 juristë në mbarë Kinën për ndihmesën e tyre ndaj disidentëve dhe kritikëve të qeverisë.

Akuzat që ai pati ngritur gjatë këtij viti nëpërmjet avokatëve të tij, shtynë 11 vende t’i kërkonin zyrtarisht Kinës që të zhvillonte hetime.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se vazhdon të jetë thellësisht i shqetësuar për rastin e zotit Xie dhe se rrëfimi i tij u duk se u bë i detyruar. Departamenti i Shtetit gjithashtu bëri thirrje për lirimin e tij dhe të juristëve të tjerë të arrestuar në Kinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG