Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha të martën se forcat amerikane në Afganistan po përballen me "një armik të vendosur", por po i shkaktojnë atij humbje të konsiderueshme.
Komentet ai i bëri gjatë një konferencë shtypi në Kopenhagë, së bashku me homologun e tij danez Claus Hjort Frederiksen. Zoti Mattis tha se grupi Shtetit Islamik dhe al-Kaeda po humbasin terren në Afganistan, në një kohë që qeveria e presidentit Ashraf Ghani, "po fiton simpatinë, respektin dhe mbështetjen "e popullit atje.
Zyrtarët amerikanë dhe afganë njoftuan së fundmi se Abdul Hasib, kreu i të ashtëquajturit Shteti Islamik në Afganistan, ishte vrarë në një sulm ushtarak. Besohet se ai qëndron pas një sulmi që vrau 50 vetë në një spital ushtarak në Kabul në fillim të vitit.
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha se Shtetet e Bashkuara do të gërshetojnë përpjekjet e tyre ushtarake dhe jo-ushtarake në Afganistan, si dhe do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të parandaluar viktimat mes civilëve.
Komentet e zotit Mattis vijnë pasi mediat amerikane raportojnë se administrata e presidentit Trump mund të rrisë ndjeshëm numrin e trupave si dhe forcës goditëse në Afganistan.
Sipas njoftimeve, zoti Trump po sheh mundësinë e dërgimit të rreth 5 mijë trupave të tjera në Afganistan. Aktualisht Shtetet e Bashkuara kanë rreth 8,400 trupa të vendosura atje.
Facebook Forum