Lidhje

Sekretari Tillerson takohet me homologun e tij rus, Lavrov


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson priti sot ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Departamentin e Shtetit për bisedime që pritet të dominohen nga mosmarrëveshjet që të dyja vendet kanë lidhur me Sirinë dhe Ukrainën.

"Dua t’i uroj mirëseardhjen ministrit të Jashtëm në Departamentin e Shtetit dhe t’i shpreh mirënjohje për këtë udhëtim në Uashington për të vazhduar dialogun dhe bisedimet që filluam në Moskë”, tha zoti Tillerson në fillim të takimit.

Ndërsa gazetarët bën pyetje për shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey, zoti Lavrov bëri shaka duke thënë: Vërtet?

Më pas zoti Lavrov u takua me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Është hera e parë që zoti Lavrov viziton Uashingtonin që nga viti 2013.

Homologët Tillerson dhe Lavrov u takuan në Moskë muajin e kaluar, mes tensioneve lidhur me bombardimin amerikan të një aeroporti sirian pas dyshimeve për ndërmarrjen prej andej të sulmeve kimike nga forcat siriane mbi civilët, përfshi fëmijë.

Ish ambasadori amerikan Alexander Vershbow, që është tani me institutin hulumtues Këshilli i Atlantikut, i tha Zërit të Amerikës se të dy diplomatët kanë një punë të vështirë përpara.

Dy diplomatët u takuan muajin e kaluar në Moskë dhe ekspertët thonë se Siria ka të ngjarë të mbetet fokusi kryesor i bisedimeve:

“Për Sirinë, të dy palët pretendojnë se kërkojnë të njëjtën gjë – fundin e luftës civile dhe formimin e një qeverie të re të pranueshme për të gjithë njerëzit në Siri. Por sigurisht, kur vjen puna tek hollësitë ata nuk bien dakort për asgjë”, thotë zoti Vershbow.

Ambasadori Vershbow thotë se pika kryesore e fërkimit mbetet nëse e ardhmja e Sirisë do të përfshijë presidentin Bashar al-Assad, që Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të tjera thonë se duhet të largohet, por që Rusia e mbështet. Gjithashtu temë e diskutimeve është marrëveshja e nënshkruar mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë për krijimin e zonave të sigurta për civilët sirianë, e nënshkruar në Astana të Kazakistanit javën e kaluar. Zoti Tillerson ka të ngjarë të kërkoj të mësojë më shumë se si do të funksionojnë zonat e sigurta. Zoti Vershbow thotë se dialogu i shpeshtë mes zotit Tillerson dhe Lavrov është shumë i rëndësishëm.

“Të paktën Tillersoni dhe Lavrovi kanë krijuar një marrëdhënie pune. Ishte shumë e rëndësishme gjithashtu që zoti Tillerson u takua me presidentin Putin kur ishte në Moskë dy javë më parë.”

Disa demokratë thonë se janë shumë të shqetësuar rreth hetimit që po zhvillohet lidhur me ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara. Ata kërkojnë që zoti Tillerson t’ja përcjelli këto shqetësime zotit Lavrov.

“Ishte një sulm mbi vendin tonë. Rusia kërkoi të minojë sistemin tonë të zgjedhjeve të lira. Ata u përpoqën të influencojnë zgjedhjet në Amerikë. Kjo është një çështje serioze. Ne duam të zbulojmë saktësisht se çfarë bën, duam të ndërmarrim hapat për të mbrojtur vendin tone dhe institucionet tona demokratike. Ne besojmë se për këtë sjellje mbi Rusinë duhet të vendosen sanksione shtesë”, thotë senatori Ben Cardin.

Pas takimit të mërkurën, të dy diplomatët do të takohen përsëri, së bashku me gjashtë homologët e tyre të Këshillit Arktik në Feirbenks të Alaskës të enjten.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG