Lidhje

Kriza, Hoyt Yee nis takimet në Tiranë


Hoyt Yee

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee nisi sot vizitën e tij në Tiranë, e cila shihet si mundësia e fundit për gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza politike në vend. Ndërsa shumica e majtë po vazhdon fushatën elektorale për zgjedhjet e 18 qershori, e djathta e cila ndodhet prej 3 muajsh në protestë, këmbëngul në kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të garantojë një proces të ndershëm zgjedhor, duke refuzuar pjesmarrjen në garën për parlamentin e ri.

Zyrtari amerikan u takua fillimisht me kryeministrin Edi Rama, për të vijuar më tej dhe më kryetarin e parlamentit dhe Presidentin e zgjedhur Ilir Meta. Pasdite ai pritet të takojë kreun e opozitës Lulzim Basha si dhe një grup deputetësh demokratë të cilët kanë kundërshtuar mospërfshirjen e së djathtës në zgjedhje.

Me gjasë, vizita e sotme e Brian Yee, do të jetë përpjekja e fundit e komunitetit ndërkombëtar për një zgjidhje të situatës. Javën e shkuar komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn, përmes një letre drejtuar qytetarëve shqiptarë shprehu keqardhjen për pamundësinë e arritjes së një kompromisi pavarësisht përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar. “Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës. Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa, vendosin të qëndrojnë mbrapa”, nënvizonte komisioneri Hahn.

Edhe takimet e sotme të zëvendës-ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, ngjan një mision tejet i vështirë, duke parë diferencat e thella në qëndrime mes palëve. Dje sërish, kryetari i opozitës Basha, në fjalën e tij para mbështetësve të së djathtës në çadrën e vendosur përpara godinës së qeverisë e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tërheqje. “Le ta dëgjojë çdo mik, çdo mbështetës, çdo qytetar i Republikës së re, çdo shqiptar që i do të mirën vetes së vet, familjes së vet dhe vendit, çdo mik i huaj, ta dëgjojnë miqtë tanë, ta dëgjojnë kundërshtarët tanë, zgjidhja është kjo; ose do ta çmontojmë krimin dhe drogën në pushtet e do të rikthejmë pushtetin dhe Shqipërinë qytetarëve, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ose do ta përmbysim republikën e vjetër përmes bashkimit, marshimit, qëndresës popullore të qytetarëve të Republikës së re. Rrugë tjetër nuk ka”, deklaroi zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG