Lidhje

Trump sinjalizon ndryshimin e strategjisë në Lindjen e Mesme

  • PETER HEINLEIN

Presidenti amerikan Donald Trump po bëhet gati të fillojë udhëtimin e tij të parë jashtë vendit. Udhëtimi i tij nëntë ditor do të jetë në vendet ku kanë selitë tre besime fetare monoteiste, pasuese të Abrahamit. Politika e presidentit Trump sinjalizon një ndryshim 180 gradë nga qasja e paraardhësit të tij ndaj Lindjes së Mesme. Siç na njeh materiali në vazhdim, ndalesa e parë e presidentit do të jetë Arabia Saudite, ku zoti Trump shpreson të ri-aktivizojë koalicionin e sektit mysliman, suni, kundër Iranit.

Gjatë fushatës së vitit 2016, zoti Trump u ankua për Arabinë Saudite. Presidenti u akuzua për islamofobi për shkak të kërcënimit të tij për të ndaluar imigracionin e myslimanëve dhe për vendimin e tij për të mos lejuar përkohësisht hyrjen në Amerikë të shtetasve nga disa vende myslimane. Megjithatë, ai zgjodhi Riadin si ndalesën e parë në udhëtimin jashtë vendit.

“Në Arabinë Saudite gjenden dy vendet më të shenjta të fesë islame, dhe aty do të fillojmë të ndërtojmë themelet e reja të bashkëpunimit dhe mbështetjes për aleatët tanë myslimanë për të luftuar ekstremizmin, terrorizmin dhe dhunën.”

Për presidentin ky është një rast për të përmirësuar imazhin e tij në botën myslimane. Në Riad, ai do të pritet nga rreth 20 mbretër, emirë dhe presidentë nga vendet myslimane të sektit suni.

Mesazhi i tij: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah tyre ndaj asaj që e shohin si fuqi armiqësore në rajon, Iranin.

“Presidenti do t’i inkurajojë parnerët tanë arabë dhe myslimanë që të ndërmarrin hapa të reja të rëndësishme për të nxitur paqen dhe për t’u ballafaquar me ato grupe e vende, që nga ISIS, Al Qaida dhe Irani e deri tek regjimi i Asadit, të cilat mbajnë gjallë kaosin dhe dhunën që ka sjellë kaq shumë vuajtje në botën muslimane dhe përtej”, tha Këshilltari për Sigurinë Kombëtare H.R. McMaster.

Grupe të të drejtave të njeriut e kanë kritikuar zotin Trump se ka pritur për vizitë zyrtare udhëheqës autoritarë si Abdel Fattah el-Sissi i Egjiptit dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë.

Kjo është një kthesë e fortë nga qasja e zotit Barack Obama, i cili e distancoi veten nga udhëheqësit suni si rezultat i shqetësimeve për të drejtat e njeriut. Robert Satloff është drejtor ekzekutiv në Istitutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme.

“Kur ishte në Kairo, ai mbajti një fjalim të rëndësishëm, duke iu drejtuar banorëve të Lindjes së Mesme dhe duke anashkaluar udhëheqësit arabe. Zoti Trump ka një qasje krejt tjetër. Ai do të flasë direkt me udhëheqësit. Kjo është preference e tij.”

Shtetasi saudit Ali Shihabi është ekspert me Institutin Arabia në Uashington. Ai thotë se mesazhi i zotit Trump është ajo që udhëheqësit suni duan të dëgjojnë.

“Ai do të shkojë atje për të dërguar mesazhin se ai e kupton se aleatët myslimanë janë vija e parë e mbrojtjes në luftën kundër terrorizmit, që ka përparësi të madhe për të. Ai e kupton se për të luftuar terrorizmin, Irani duhet penguar që të jetë i dëmshëm dhe të përfitojë nga kaosi në Lindjen e Mesme për të avancuar ambicjet e veta politike.”

Nga Riadi, zoti Trump do të shkojë në Izrael dhe pastaj në Vatikan, duke i dhënë fund një turneu në vendet e tre feve më të mëdha që bësojnë tek një Zot. Ai po ashtu do të marrë pjesë në një takim të NATO-s dhe samitin e G-7 para se të kthehet në Uashington.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG