Lidhje

Gjykata e Lartë nuk pranon të dëgjojë çështjen mbi identifikimin e votuesit


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka refuzuar një kërkesë të bërë nga ligjvënësit republikanë të Karolinës së Veriut për të risjellë në fuqi një ligj që i kërkon votuesit të paraqesë identifikim me foto në vendin e votimit.

Legjislatura e këtij shteti, e kontrolluar nga republikanët, e miratoi ligjin në vitin 2013, duke thënë se masat e reja që eliminuan regjistrimin në ditën e votimit dhe pakësuan numrin e ditëve për votimin e hershëm ishin të nevojshme për të parandaluar mashtrimet në votime.

Por kundërshtarët, të cilët përfshijnë grupe të të drejtave dhe demokratë, thonë se këto hapa synojnë në mënyrë të padrejtë votuesit afrikano-amerikanë dhe hispanikë të cilët kanë më pak gjasa të kenë letër njoftim me foto ose nuk kanë qasje të lehtë në vendet e votimit gjatë zgjedhjeve.

Një vendim i gjykatës federale refuzoi këto shqetësime, por në apel Gjykata e Qarkut të katërt deklaroi se legjislativi e miratoi ligjin me synimin për diskriminim.

Kjo gjykatë citon punën përgatitore nga ligjvënësit e shtetit para hartimit të ligjit, duke thënë se ata kishin kërkuar të dhëna mbi ndarjen sipas racës për përdorimin e praktikave të ndryshme të votimit.

Sipas Gjykatës së Qarkut, dispozitat e reja synojnë drejtpërdrejt afrikano-amerikanët, dhe imponojnë mjete për zgjidhjen e probleme që nuk ekzistojnë.

Guvernatori i atëhershëm i Karolinës së Veriut i kërkoi Gjykatës së Lartë të ndryshonte këtë vendim, por kur një guvernator i ri demokrat mori detyrën në janar, ai dhe avokati i tij i kërkuan gjykatës ta hidhnin poshtë çështjen. Udhëheqësit republikanë në legjislaturë më vonë kërkuan që të lejohen të përfaqësojnë shtetin kundër atyre që sfidojnë ligjin.

Në njoftimin e shpallur nga kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts, theksohet se Gjykata e Lartë nuk pranoi ta dëgjonte këtë çështje pasi nuk ishte një deklaratë mbi meritat ligjore.

Guvernatori Roy Cooper e mirëpriti vendimin, duke e cilësuar si lajm të mirë për Karolinën e Veriut.

"Ne duhet ta bëjmë votimin më të lehtë dhe jo më të vështirë. Unë do të vazhdoj të punoj për të mbrojtur të drejtën e çdo votuesi të regjistruar sipas ligjit për të marrë pjesë në procesin tonë demokratik," tha guvernatori Cooper.

Kryetari i Legjislaturës së shtetit, Tim Moore dhe senatori Phil Berger nxorën një deklaratë të përbashkët duke thënë se atyre që duan masa më të rrepta të identifikimit të votuesve, kjo gjë iu mohua në gjykatë.

"Të gjithë karolinasit e veriut të jenë të sigurt se ligjvënësit republikanë do të vazhdojnë të luftojnë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve duke zbatuar kërkesën e duhur për të shfaqur një letër njoftim me foto kur votojmë," thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas Konferencës Kombëtare të Legjislaturave Shtetërore, 32 nga 50 Shtetet e Unionit kanë një ligj që kërkon nga votuesit të tregojnë një lloj identifikimi para se të lejohen të votojnë.

Gjykatës së Lartë mund t’i kërkohet së shpejti të shqyrtojë një tjetër çështje të ngjashme, ndërsa një sfidë ligjore kundër ligjit mbi identifikimin e votuesit në Teksas kalon në sistemin gjyqësor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG