Lidhje

Shqipëri, vijojnë përpjekjet për zgjidhjen e krizës

  • Armand Mero

Në Shqipëri, deri në mesnatë kanë vazhduar pa rezultat përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike në vend, të cilat rinisën pas kërkesës së djeshme të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee, që palët të dialogonin mbi bazën e formulës së kompromisit të ofruar disa javë më parë nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të parlamentit europian David McAllister. Gjatë vizitës në Tiranë, zyrtari i Departamentit të Shtetit u shpreh se SHBA-të e mbështesin të ashtuquajturën “Paketa McAllister” duke e cilësuar “një propozim të ndershëm”. Burime pranë opozitës janë shprehur se ajo ka rënë dakort plotësisht me të ashtuquajturën “Paketa McAllister”, porse sipas saj ka një tërheqje nga përfaqësuesit e qeverisë.

Në thelb bëhet fjalë për disa ndryshime në qeveri, me disa ministra teknikë që të kenë pëlqimin e opozitës, sipas formulës McAllister, e cila nuk parashikon dorëheqjen e kryeministrit, kërkuar me ngulm nga opozita. Po ashtu, parashikohet dhe dhënia së djathtës, e drejtimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Ndërkohë që propozohet dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve.

Zoti Rama nga ana e tij ka shpjeguar se as ai nuk e ka pranuar “Paketën McAllister”, por se ka qenë i gatshëm të diskutonte mbi të, me kusht që opozita të votonte anëtarët e komisioneve parlamentare për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Burime nga opozita thanë mbrëmë se ajo ka rënë dakort dhe për çështjen e Vettingut, ndonëse pala tjetër pretendon se e djathta ka kërkuar disa ndërhyrje në ligjin për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Por pika e mosdakortësisë duket të jetë data e zgjedhjeve. Opozita duket se është tërhequr nga kërkesa për shtrjen e tyre deri në fillim të vjeshtës, dhe shprehet se ka pranuar variantin e shtyrjes në 16 apo 23 korrik, kohë brenda së cilës mund të tentohet të realizohet identifikimi biometrik i votuesve, apo dhe numërimi elektronik. Por sipas saj është kryeministri Edi Rama i cili po këmbëngul që data e zgjedhjeve të mos preket, dhe të mbetet 18 qershori. Por nga ana e qeversië nuk ka asnjë konfirmim apo përgënjeshtrim të këtij qëndrimi. Ndërkohë përfaqësuesë të komunitetit ndërkombëtar po vazhdojnë të jenë në kontakt me palët, dhe ende asgjë nuk konsiderohet e mbyllur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG