Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Biseda e Presidentit me rusët ishte krejtësisht e rregullt


Këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, H.R. McMaster tha të martën se informacioni për terrorizmin dhe kërcënimet ndaj aviacionit ndërkombëtar që Presidenti Donald Trump u kishte dhënë diplomatëve rusë javën e kaluar ishte “krejtësisht i rregullt” dhe nuk komprometonte burimet e zbulimit.

Zoti McMaster përsëriti qëndrimin e një dite më parë se premisa e njoftimeve të mediave amerikane sipas të cilave zoti Trump i kishte dhënë informacion tepër sekret Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe ambasadorit të Moskës në Shtetet e Bashkuara Sergey Kislyak në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ishte e rreme.

“Nuk jam fare i shqetësuar, tha zoti McMaster, i cili kishte qenë i pranishëm në takimin e Zyrës Ovale. Biseda ishte krejtësisht e përshtatshme për kontekstin dhe mendoj se përputhej plotësisht me standardet e partnerëve tanë të zbulimit”.

Sipas njoftimeve të medias, së pari në Washington Post dhe më pas në publikime të tjera, komentet e zotit Trump për një sulm të mundshëm terrorist me avion nga Shteti Islamik, kishin aq shumë hollësi saqë mund t’u kishte dhënë të dërguarve rusë informacion të mjaftueshëm për të përcaktuar burimin: një qeveri e cila ka një marrëveshje për këmbim informacioni zbulimi me Uashingtonin dhe që nuk dëshironte që Shtetet e Bashkuara t’ia jepnin këtë informacion Rusisë.

Gazeta New York Times citonte një zyrtar aktual dhe një të mëparshëm të thonin se burimi ishte Izraeli, një nga aleatët më të ngushtë dhe të afërt të Amerikës në rajon.

“Presidenti nuk ka komprometuar asnjë burim”, tha zoti McMaster.

Ai hodhi poshtë njoftimet se zoti Trump mund të kishte nxjerrë pa dashje burimin e informacionit. “Presidenti as nuk e dinte se nga vinte informacioni”, shtoi ai.

Komentet e këshilltarit të sigurisë kombëtare erdhën disa orë pasi Presidenti Trump mbrojti “të drejtën e tij absolute” për të ndarë informacion me dy diplomatët rusë.

Zoti Trump shkruante në orët e para të mëngjesit në Twitter se donte t’u jepte atyre “fakte që kishin lidhje me terrorizmin dhe sigurinë e aviacionit” dhe ta nxiste Rusinë “të intensifikonte luftën”, kundër Shtetit Islamik dhe terrorisëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG