Lidhje

Fermerët në Pensilvani dhe imigrantët latinë


Si kudo tjetër në Amerikë, fermerët në Pensilvani mbështeten tek puna e imigrantëve, kryesisht nga Amerika Latine për t’u kujdesur për të mbjellat e plantacionet frutore. Shumë prej këtyre imigrantëve janë futur në mënyrë të paligjshme dhe jetojnë në komunitete rurale së bashku me familet. Ata punojnë në ferma dhe paguajnë taksat që u mbahen nga paga në përputhje me ligjin. Por tani që administrata Trump ke theksuar zbatimin më të rreptë të ligjit për imigrancionin, biznese si fermat dhe fabrikat e përpunimit të produkteve bujqësore thonë se mund të mos kenë punëtorë të mjaftueshëm për të përballuar operacionet. Korrespondenti Bill Rogers njofton nga komuna Adams në Pensilvani:

Në këtë pjesë të Pensilvanisë në pemishte po bëhen krasitjet e sezonit. Pjesa më e madhe e punëtorëve, ashtu si në ferma të tjera, janë imigrantë nga Amerika Latine.

Puna është e rëndë, me orë të gjata e të mërzitshme. Eshtë vështirë të gjesh punëtorë jashtë komunitetit imigrant, thotë Kay Hollabaugh, që bashkë me familjen zotëron një fermë dhe plantacion pemësh në komunën Adams.

“Nëse nuk kam imigrantët si krah pune, nuk ka kush punon për të vjelë frutat dhe zarzavatet dhe biznesi do të marrë fund. Do të mbesin pa punë 75 vetë dhe do ta humbasim këtë fermë që ka qenë pronë e familjes për mbi 60 vjet”.

Jo larg nga ferma, në qytetin York Springs jetojnë shumë prej imigrantëve që punojnë në ferma. Por ata nuk shihen nëpër rrugët e qytetit, megjithëse përbëjnë thuajse gjysmën e popullatës prej 800 vetësh. Imigrantët janë frikësuar nga forcimi i politikave të imigracionit.

“Më parë ishte ndryshe, situata ishte më e qetë, dilnim, nuk kishim frikë. Sot njerëzit fshihen. Shumë banorë janë larguar nga qyteti, janë kthyer në vendet e tyre para se t’i kapin,” thotë Arturo, një banor.

Kompania e përpunimit ushqimor “Rice Fruit” mbështetet tek imigrantët latino në York Springs. Kjo fabrikë ka rreth 100 punëtorë gjatë pjesës më të madhe të vitit dhe dy herë më shumë në sezonin e vjeljeve, pjesa më e madhe imigrantë nga Amerika Latine.

Presidenti i kompanisë David Rice thotë se megjithëse punëtorët kanë dokumentet për të punuar ligjërisht, gjithsesi i ka kapur frika.

“Më vjen keq pasi këta janë punëtorë shumë, shumë të mirë, njerëz shumë, shumë të mirë, ata kontribuojnë shumë në ekonominë lokale, sidomos në sektorin e mollëve”.

Industria e përpunimit të frutave në komunën Adams gjeneron 580 milionë dollarë në vit, dhe mbështet afro 20 mijë vende pune, sipas një studimi. Por nëse krahu imigrant i punës largohet nga zona, zoti Rice thotë se do të detyrohet të reduktojë prodhimin.

“Po analizojmë mënyra për të reduktuar nevojat për punëtorë, gjë që kërkon procese të automatizuara. Ka mundësi të reduktojmë plantacionet dhe të mbajmë vetëm parcelat më prodhimtare që kërkojnë më pak krah pune. Këto janë alternativat që kemi për të reduktuar numrin e punëtorëve”.

Në tregun e frutave, familja Hollabaugh ka fotografi të brezave të pronarëve si dhe të punëtorëve në fermë.

"Kur shoh në televizor një nënë apo baba latin që e shkëpusin nga fëmijët dhe e dëbojnë nga vendi prekem shumë. Kur mendoj se mund të m’i heqin punëtorët, këta janë njerëz që sigurojnë jetesën këtu. Mendoj se fondet amerikane mund të shpenzohen për qëllime më të mira se sa për të shkatërruar familje e për të larguar njerëz që i shërbejnë vendit,” thotë Kay Hollabaugh.

Në një aktivitet në qendrën e komunës në qytetin historik Getisburg, demonstruesit shprehin mbështetje për imigrantët pa dokumente … duke u shpërndarë kalimtarëve mollë të vjela nga imigrantët. Mollët u dhuruan nga njëri prej organizatorëve të aktivitetit, kompania Rice Fruit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG