Lidhje

Donald Trump i vendosur për paqen, pas takimit me Papën


Presidenti Donald Trump tha se është "më i vendosur se kurrë për vendosjen e paqes në botë" pas bisedimeve të zgjeruara që zhvilloi në Vatikan me Papa Françeskun.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se bashkëbiseduesit diskutuan "se si komunitetet fetare mund të luftojnë vuajtjet njerëzore" në vende të tilla si Siria, Libia dhe territore të kontrolluara nga Shteti Islamik.

"Presidenti pohoi se Shtetet e Bashkuara dhe Selia e Shenjtë ndajnë shumë vlera themelore dhe duan të angazhohen në nivel botëror për të promovuar të drejtat e njeriut, për të luftuar vuajtjet njerëzore dhe mbrojtur lirinë fetare", thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Në një koment në Twitter presidenti Trump e quajti takimin "një nder në jetën e tij".

Sipas sekretarit të Shtetit Rex Tillerson gjatë bisedimeve të presidentit Trump me një zyrtar të lartë të Vatikanit i diskutua edhe mbi çështjen e marrëveshjes së Parisit për klimën.

Rex Tillerson u tha gazetarëve se "presidenti ende po mendonte mbi këtë çështje dhe se nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar". Ai shtoi se presidenti Trump do të merrte një vendim kur të kthehej në Shtetet e Bashkuara, pas udhëtimit të tij ndërkombëtar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG