Lidhje

Lista e PD, jashtë të vjetër dhe kritikët e Bashës


Albania Opposition Protest

Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, zgjodhi të lerë jashtë listave të kandidatëve për deputet, me të cilët ai do të konkurrojë në zgjedhjet e 25 qershorit, mjaft nga figurat me një jetë të gjatë politike në këtë parti e që në të kaluarën kanë mbuluar funksione të rëndësishme partiake dhe zyrtare. Po ashtu jashtë mbetën dhe emra të rëndësishëm të cilët ishin shfaqur kritik me mënyrën se si zoti Basha ka drejtuar partinë këto katër vite si dhe nuk ishin pajtuar me zgjedhjen e tij për të bojkotuar zgjedhjet, kur nisi protestën për të kërkuar një qeveri teknike.

Në listat e dorëzuara pak pas mesnatës (kur afati zyrtar kishte kaluar) mungojnë emrat e Jozefina Topallit, ish nënkryetare e PD dhe për 8 vitet e PD në pushtet, kryetare e parlamentit, Astrit Patozit, ish nënkryetar i Partisë dhe ish kryetar i grupit parlamentar demokrat, apo ish ministrave Ridvan Bode, Arben Imami, Myqerem Tafaj, apo dhe Majlinda Bregu. Kjo e fundit së bashku me Eduard Selamin, ishin ndër zërat më të fortë kritikë ndaj zotit Basha për strategjinë e ndjekur prej tij muajt e fundit. Po ashtu jashtë janë lënë dhe emra që aktualisht janë në strukturat drejtuese të PD, dhe që ishin zgjedhur nga vetë zoti Basha.

Në një postim në Facebook, zonja Bregu shkruan se sipas saj në listat e PD ajën ata “që nuk lanë gjë pa bërë e thëne, sepse e deshën PD-në jashtë zgjedhjeve. Ata që s’thanë asnjë fjalë ose më saktë thanë bëma e bënë gjëma, për të justifikuar absurdin se PD jashtë zgjedhjeve kishte nisur ndërtimin e kantierit të Republikës së Re!! Ata që mbrëmë i ka zënë gjumi pa asnjë lidhje me PD e që në mëngjes janë zgjuar të renditur në vijën e parë të saj. Brenda janë ata që e donin PD jashtë!”, shkruan zonja Bregu.

Kreu demokrat, zgjidhi ndërkohë problemet me aleatët kryesorë. Drejtuesit e 5 partive do të jenë në vende të sigurta duke garuar nën siglën e PD, ndërsa do të përfaqësohen dhe me emra të tjerë por jo më në pozicione ku mendohet të kenë mundësi për të fituar.

Lista, e cila përmban shumë emra të rinj, duket se shënon një përpjekje të zotit Basha për t’i vënë vulën e tij Partisë demokratike, si një shkëputje nga forca politike që ai trashëgoi. Megjithatë lëvizja e tij përmban jo pak rrisqe. Gjithshka duket se do të varet nga rezultati që PD do të marrë në zgjedhjet e 25 qershorit, edhe sepse në korrik zoti Basha do të duhet të futet dhe në garën për kryetarin e Partisë pas skadimit të mandatit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG