Lidhje

Lista e PD, jashtë të vjetër dhe kritikët e Bashës


Në Shqipëri publikimi i listës së kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike ka provokuar debate të shumta, jo vetëm mediatike, por dhe prej disa prej figurave të lëna jashtë. Kryetari demokrat, nuk përfshiu asnjë prej kritikëve të tij, ndërkohë që mënjanoi dhe disa prej emrave të vjetër në partinë e tij.

Lista e PD, jashtë të vjetër dhe kritikët e Bashës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Për shumëkënd, lista e emrave me të cilët Partia Demokratike do të konkurrojë në zgjedhjet e 25 qershorit, është parë si një surprizë. Për ata që mbetën jashtë saj por dhe emrat e rinj të përfshirë në të. Mjaft nga figurat me një jetë të gjatë politike në këtë parti e që në të kaluarën kanë mbuluar funksione të rëndësishme partiake dhe zyrtare, nuk ishin pjesë e saj. Po ashtu jashtë mbetën dhe emra të rëndësishëm të cilët ishin shfaqur kritik me mënyrën se si zoti Basha ka drejtuar partinë këto katër vite si dhe nuk ishin pajtuar me zgjedhjen e tij për të mos marrë pjesë në garën elektorale, kur nisi protestën për të kërkuar një qeveri teknike, apo dhe këmbënguljen deri në momentet e fundit për të refuzuar propozimet e komunitetit ndërkombëtar.

Në listat e dorëzuara pak pas mesnatës, kur afati zyrtar kishte kaluar, mungojnë emrat e Jozefina Topallit, ish nënkryetare e PD dhe për 8 vitet e PD në pushtet, kryetare e parlamentit, Astrit Patozit, ish nënkryetar i Partisë dhe ish kryetar i grupit parlamentar demokrat, apo ish ministrave Ridvan Bode, Arben Imami, Myqerem Tafaj, apo dhe Majlinda Bregu. Kjo e fundit së bashku me Eduard Selamin, ishin ndër zërat më të fortë kritikë ndaj zotit Basha për strategjinë e ndjekur prej tij muajt e fundit. Po ashtu jashtë janë lënë dhe emra që aktualisht janë në strukturat drejtuese të PD, dhe që ishin zgjedhur nga vetë zoti Basha, si bashkëpunëtrët e tij të ngushtë.

Në një postim në Facebook, zonja Bregu shkruan se sipas saj në listat e PD janë ata “që nuk lanë gjë pa bërë e thëne, sepse e deshën PD-në jashtë zgjedhjeve. Ata që s’thanë asnjë fjalë ose më saktë thanë bëma e bënë gjëma, për të justifikuar absurdin se PD jashtë zgjedhjeve kishte nisur ndërtimin e kantierit të Republikës së Re!! Ata që mbrëmë i ka zënë gjumi pa asnjë lidhje me PD e që në mëngjes janë zgjuar të renditur në vijën e parë të saj. Brenda janë ata që e donin PD jashtë!”, shkruan zonja Bregu.

Thuajse në të njejtën linjë edhe deputeti Patozi, sipas të cilit çadra e protestës “u ngrit për të shpëtuar lëkurën e Lulzim Bashës”. Deputeti demokrat shkruan madje se “ëndrrat e Republikës së Re me ato te “Rilindjes” ngjajnë. Madje, ka raste që ato janë e njejta gjë”, ndërsa shton se “nuk mund të ketë as shtet dhe as Shqipëri më të mirë, nëse partitë do të bunkerizohen dhe do të kthehen në kompani biznesesh të pista me një pronar të vetëm”.

Lista, e cila përmban shumë emra të rinj, duket se shënon një përpjekje të zotit Basha për t’i vënë vulën e tij Partisë demokratike. Megjithatë lëvizja e tij përmban jo pak rrisqe. Gjithshka duket se do të varet nga rezultati që PD do të marrë në zgjedhjet e 25 qershorit, edhe sepse në korrik zoti Basha do të duhet të futet dhe në garën për kryetarin e Partisë pas skadimit të mandatit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG