Lidhje

NASA do të lëshojë një sondë për të studiuar diellin


Agjencia amerikane e hapësirës, NASA thotë se vitin që vjen do të ndërmarrë një mision për të dërguar një mjet hapësinor në atmosferën e diellit.

Sonda “Parker Space” do të mbledhë të dhëna lidhur me aktivitetin diellor për të krijuar një ide më të qartë se si zhvillimet në hapësirë mund të ndikojnë tek jeta në Tokë.

Sonda do të rrotullohet tek orbita e diellit, mbi 6 milion kilometra mbi sipërfaqen e zjarrtë, ose 8 herë më pranë diellit se asnjë tjetër mjet hapësinor. Në pikën më të afërt me diellin, mburoja 12 centimetra e trashë duhet t’i rezistojë temperaturës deri 1300 gradë celsius. Nicola Fox është shkencëtare me projektin për misionin në hapësirë.

“Përse kurora e diellit është më e nxehtë se sipërfaqja e tij ? Kjo bie ndesh me ligjet e natyrës. Është sikur uji të rridhte përpjetë. Përse në këtë rajon, atmosfera diellore papritmas bëhet energjitike dhe largohet nga forca tërheqëse e diellit dhe pushton të gjitha planetet? Nuk kemi qenë në gjendje t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve pa dërguar një sondë pranë diellit.”

NASA e bëri të ditur planin të mërkurën në Universitetin e Çikagos gjatë një ceremonie për nder të astrofizikantit Eugene Parker, emrin e të cilit mban edhe sonda.

“Ndihem shumë i nderuar të kem të bëj me një mision të tillë heroik hapësinor. Kur them heroik, e kam fjalën për temperaturën. Rrezatimi termik nga dielli dhe masat ekstreme për të mbijetuar nga temperatura dhe mbledhur të dhëna shkencore, duhet të vlerësohen plotësisht.”

Zoti Parker ishte shkencëtari i parë që studioi fenomenin tashmë të njohur si erëra diellore. Këto erëra përbëhen nga gaze të ngarkuara që rrjedhin nga dielli. Këto erëra përfundimisht kalojnë mbi Tokë me shpejtësi 1.6 milion kilometra në orë. Shkencëtarët besojnë se erërat kanë aftësitë të shkaktojnë dëme serioze në planet. Sonda pritet të lëshohet në muajin gusht të vitit 2018 dhe misioni do të zagjasë deri në qershor të vitit 2025.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG