Lidhje

Britania dhe pikëpyetjet e saj për t’u përballur me ekstremizmin islamist


Police officers stand at a road block near a property in East Ham, east London, Britain, June 5, 2017.
Police officers stand at a road block near a property in East Ham, east London, Britain, June 5, 2017.

Në Britani janë forcuar thirrjet për një rishikim të sistemit ligjor në një kohë kur vendi është përballur me tre sulme brenda tre muajsh, më i fundit dy ditë më parë. Ngjarjet kanë shkaktuar ankth tek komunitetet e mëdha myslimane të Londrës të frikësuar se kjo do të ulë shkallën e lirive të tyre dhe do të nxisë intolerancën. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Luis Ramirez informon nga Londra.

Londra e rimori veten dhe ka nisur të shohë përpara, por udhëheqësit britanikë po e bëjnë të qartë se, pas kaq shumë sulmesh terroriste brenda një kohe të shkurtër, gjërat nuk mund të vazhdojnë siç janë.

"Duhet të jemi të sinqertë, në vendin tonë është treguar shumë tolerancë ndaj ekstremizmit. Ndaj duhet të bëhemi shumë më të fuqishëm në identifikimin dhe dhënien fund të tij në të gjithë shoqërinë. Kjo do të kërkojë zhvillimin e një dialogu të vështirë dhe shpesh të sikletshëm, por i gjithë vendi ynë duhet të bashkohet të luftojë ekstremizmin. Kemi nevojë të jetojmë jo të ndarë, por të bashkuar”, tha kryeministrja britanike Theresa May.

Por bashkimi, duket të jetë më i lehtë të thuhet se sa të arrihet, në një kohë kur vendi gjithnjë e më shumë ndjehet i rrezikuar. Ekziston frika e rritjes së përçarjeve mes myslimanëve dhe jo myslimanëve, por edhe mes vetë myslimanëve.

"Unë jam londinez. Jam rritur në Londër. Ajo që ndodhi ishte shkatërruese. Nuk ishte vetëm sulm ndaj atyre njerëzve, por një sulm edhe ndaj meje, si mysliman. Po përpiqen të na ndajnë”, thotë imami Zishan Ahmad.

Tashmë në Britani po shihen mundësitë për më shumë mbikëqyrje të internetit, ndryshime në ligjet e paraburgimit si dhe zgjatjen në kohë të dënimeve për veprat penale të lidhura me terrorizmin. Por për disa njerëz, pyetjet që shtrohen janë më të mëdha.

"Disa njerëz janë të frikësuar nga pasojat dhe se çfarë mund të ndodhë, por nga ajo që unë kuptoj nuk është aspak e tillë. Ka të bëjë me pyetjen se ku po shkojmë si shoqëri?”, thotë Farah Egal aktivist

Në lindje të qytetit ku jeton një komunitet i madh mysliman dhe kanë shtëpitë disa prej autorëve të sulmeve ka tension, ndaj dhe deklaratat janë më të kujdesshme.

"Një person e bën dhe fajësohet i gjithë komuniteti. Asnjë komunitet nuk e dëshiron këtë lloj barbarizmi. Ne e dënojmë dhe duhet ta dënojmë atë së bashku ", thotë Mahmudur Rahman.

Misioni i banorëve që jetojnë pak metra nga lagjia “Borough Market” dhe ura e Londrës është të mos u japin terroristëve atë që duan.

"Duhet të vazhdojmë. Ne jemi populli britanik që ka kaluar kohëra më të këqija se këto dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë si komunitet dhe si një komb", thotë Dugalb Black.

Në Britani ishte diçka e rrallë të shihje policë të armatosur. Tani këtu në “Borough Market” ata të kujtojnë së sulmet e tre muajve të fundit mund t’a kenë ndryshuar këtë vend përgjithmonë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG