Lidhje

Hoyt Yee, optimist për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor


Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Yee foli me optimizëm për të ardhmen e Ballkanit gjatë një interviste për Zërin e Amerikës. Duke vlerësuar zhvillimet në Malin e Zi, Shqipëri dhe Maqedoni, ai megjithatë shprehu shqetësim për stanjacionin politik dhe ekonomik edhe pas 20 vitesh ndihmash të vazhdueshme, si në rastin e Bosnjë Hercegovinës.

Gjatë një interviste për shërbimin në gjuhën boshnjake të Zërit të Amerikës, Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Yee, u shpreh në përgjithësi optimist për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai rikonfirmoi interesimin e Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e këtij rajoni, ashtu siç ishte shprehur rishtazi gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj begatisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Politikat tona mbeten të qëndrueshme, sepse janë të bazuara në interesat e SHBA-së, në interesa të SHBA-së për një rajon që i afrohet më shumë Evropës, drejt një integrimi me institucionet evropiane, një begatie më të mirë, një klime më të mirë investimesh për bizneset evropiane dhe amerikane dhe në përgjithësi një standard më të mirë jetese për popujt e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi zoti Yee.

Si shembuj pozitivë, zoti Yee përmendi zhvillimet e fundit në Malin e Zi, Shqipëri dhe në Maqedoni.

“Kemi parë qartësisht një lloj progresi në rajon. Pamë Malin e Zi t’i bashkohet NATO-s. Pamë përparimin drejt zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat do të përfshijnë qeverinë dhe opozitën, gjë që ne e konsiderojmë një zhvillim shumë pozitiv. Shohim tashmë formimin e një qeverie në Maqedoni pas një periudhe të gjatë pasigurie; e shohim këtë si një hap pozitiv për t’i dhënë fund një krize politike”, tha zoti Yee.

Megjithatë, Zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit përmendi rastin e Bosnjë-Hercegovinës si shembull shqetësimi për rajonin dhe stanjacionit të atjeshëm politik dhe ekonomik edhe pas 20 vitesh asistence prej miliarda dollarësh dhe vëmendjeje të veçantë si nga BE-ja, ashtu edhe nga SHBA-ja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG