Lidhje

Stoltenberg: Duhet të jemi të fortë në përgjigjen ndaj Rusisë


Kreu i NATO-s deklaroi se anëtarët e aleancës janë të bashkuar në qëndrimin e tyre ndaj Rusisë në një mënyrë që nuk ka ekzistuar prej vitesh.

Gjatë një interviste të hënën për korrespondenten e shërbimit serb të “Zërit të Amerikës” Jela de Franceschi, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se NATO është e angazhuar për të forcuar mbrojtjen dhe në të njëjtën kohë për të vazhduar dialogun me Rusinë.

"Qasja me dy drejtime, do të thotë që ne duhet të jemi të fortë, të ofrojmë përmbajtje dhe mbrojtje të besueshme. Kjo është arsyeja pse po zbatojmë masat më të gjëra të mbrojtjes sonë kolektive si përgjigje ndaj asaj që Rusia bëri në Ukrainë", tha zoti Stoltenberg. Sipas tij "ky nuk është një dialog i lehtë, por kjo është pikërisht arsyeja pse dialogu është i rëndësishëm".

Qasja është një version modern i politikës "me dy linja" të NATO-s që u zbatua gjatë Luftës së Ftohtë dhe që lidhte stacionimin e forcave bërthamore amerikane me propozimet për negociata me Moskën mbi çështjen e forcave sovjetike në Evropën Lindore.

Muajt e fundit, çështja e mbrojtjes që ofron NATO-ja ka qenë në qendër të vëmendjes me ardhjen në pushtet të presidentit amerikan Donald Trump po kështu edhe thirrjet e tij ndaj vendeve anëtare për të rritur buxhetin e tyre të mbrojtjes.

Duke zhgënjyer shumë prej aleatëve, gjatë takimit të krerëve të shteteve të NATO-s në Bruksel muajin e kaluar, zoti Trump nuk përmendi mbështetjen amerikane për nenin 5 të traktatit themelues të aleancës, që bën thirrje për mbrojtje të përbashkët.

Por zoti Stoltenberg tha se anëtarët e administratës Trump, përfshirë presidentin, e kanë shprehur mbështetjen për NATO-n në shumë raste.

"Presidenti Trump e ka shprehur në takime të ndryshme dhe në një konferencë për shtyp me mua në Shtëpinë e Bardhë në muajin prill, se ai është i angazhuar ndaj NATO-s", tha zoti Stoltenberg.

Ai shtoi se angazhimi nuk është vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

"Propozimi për buxhetin që administrata paraqiti vetëm një javë më parë, shënon një rritje me 40 për qind të fondeve për praninë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë. Më shumë trupa, më shumë stërvitje ushtarake, më shumë investime në infrastrukturë, pajisje furnizuese. Të gjitha këto nënvizojnë angazhimin amerikan për NATO-n ".

Është në dorën e kongresit amerikan që pas një procesi të gjatë të vendosë se sa prej propozimit të zotit Trump për buxhetin, do të kthehet në shpenzime konkrete, por zoti Trump e ka bërë të qartë se dëshiron të rrisë fondet e mbrojtjes.

Lidhur me thirrjen e presidentit Trump ndaj aleatëve për të bërë më shumë në luftën kundër terrorizmit, sekretari i përgjithshëm Stoltenberg tha se aleanca është duke luajtur një rol jetik në luftën kundër terrorizmit.

"Ju e mbani mend se përpjekja jonë më e madhe ushtarake ndonjëherë është prania në Afganistan. Arsyeja pse ne jemi në Afganistan është të parandalojmë që vendi të kthehet edhe një herë në një strehë të sigurt për terroristët ndërkombëtarë", tha ai. "Ne vendosëm, si pjesë e një plani më të gjerë veprimi kundër terrorizmit për t'u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar për të mposhtur ISIS-in. Kjo dërgon një sinjal të fortë politik, por gjithashtu siguron një platformë për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë falë përpjekjeve të koalicionit".

Zoti Stoltenberg tha se sulmet terroriste si ato të ditëve të fundit në Londër dhe Mançester, nuk janë më vetëm një çështje për Evropën lidhur me mbrotjen e saj.

"Kemi nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse. Kemi nevojë sigurisht për policinë, zbatimin e ligjit, shërbimin e zbulimit. Por duhet gjithashtu të forcojmë më tej luftën tonë politike dhe ideologjike kundër kësaj ideologjie të dhunshme dhe këtij lloj ekstremizmi. Kemi nevojë t’i japim zgjidhje paqëndrueshmërisë që motivon dhe mbështet llojet e sulmeve që po shohim në rrugët tona ".

NATO-ja ka krijuar një divizion të veçantë për të rritur nivelin e shkëmbit të informacioneve të zbulimit mes aleatëve për të luftuar më mirë terrorizmin që vjen jo vetëm nga Lindja e Mesme.

Vendi anëtar i aleancës Turqia ka pësuar një numër sulmesh terroriste dhe zoti Stoltenberg vuri në dukje faktin se asnjë vend tjetër i NATO-s nuk ka vuajtur më shumë se sa Turqia. Gjithashtu vitin e kaluar atje pati dhe një përpjekje për grusht shteti që dështoi, por zoti Stoltenberg tha se shqetësimet lidhur me sigurinë nuk u japin udhëheqësve turq të drejtën të bëjnë çfarë të duan.

"Turqia ka të drejtën të mbrohet kundër sulmeve terroriste, të ndjekë penalisht ata që qëndrojnë pas përpjekjes për grusht shteti, por në të njëjtën kohë kjo duhet bërë duke zbatuar ligjin dhe vlerat tona demokratike. Unë e kam deklaruar këtë qartë në takimet e mia në Ankara", tha ai.

Goditja ndaj opozitës dhe shtypit në Turqi i ka tensionuar lidhjet me një numër vendesh anëtare të NATO-s. Por Turqia mbetet një faktor i rëndësishëm në sfidat me të cilat përballet aleanca.

"Turqia është një aleate kyçe për shkak të vendndodhjes së saj gjeostrategjike, në kufi me Sirinë dhe Irakun, në kufi me Rusinë në Detin e Zi. Turqia është çelësi për mënyrën se si Evropa po trajton krizën e emigrantëve. NATO-ja është e pranishme me anijet e saj në detin Egje, duke ndihmuar në ndaljen e rrjedhës së emigrantëve dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin e Turqisë dhe Greqisë, vende anëtare të NATO-s ", tha sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG