Lidhje

SHBA, thirrje vendeve të Gjirit Persik të zgjidhin mosmarrëveshjet me Katarin


Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje vendeve të Gjrit Persik dhe Egjiptit, që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me Katarin. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Jemeni, Maldivet dhe Egjipti i prenë marrëdhëniet me Katarin, për shkak të dyshimeve për lidhje me organizata terroriste dhe sepse kanë vënë në pikëpyetje politikat e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit. Të gjitha këto vende janë aleate të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik dhe ekspansionizimit iranian. Zyrtarët amerikanë thonë se përçarjet nuk do ta minojnë luftën kundër ISIS-it.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u bëri thirrje palëve në konflikt që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes bisedimeve. Por, ai tha se të gjithë ata mbeten të përkushtuar ndaj pëpjekjes së përbashkët kundër terrorizmit:

"Unë nuk pres që ky veprim të ketë ndikim të madh në përpjekjen e përbashkët kundër terrorizmit në rajon, apo në botë. Të gjitha palët kanë qenë të bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe Daesh-it apo ISIS-it –këtë ata e kanë shprehur në takimin e kohëve të fundit në Rijad,”- tha ai.

Sekretari i Mbrojtjes James Mattis tha se është e qartë që Irani po punon për ta destabilizuar rajonin.

"Duke filluar me Sirinë, ku Assadi sot është ende në pushtet për shkak të veprimeve të Iranit, e deri tek Jemeni, ku ata kanë ndikuar për keq në një luftë që ka izoluar miliona njerëz, duke i lënë ata të vuajnë nga uria, pa kujdes shëndetësor dhe nga dhuna. Prandaj, unë mendoj se veprimet e Iranit duken hapur.”

Konflikti mes Katarit dhe fqinjëve të tij të Gjirit nuk është i ri. Eksperti për Lindjen e Mesme Gerald Feierstein thotë se megjithë tensionet, Katari me fqinjët kanë rënë gjithmonë dakord për rëndësinë e sprapsjes së ekspansionizmit të Iranit.

Por ai shton se uniteti mes vendeve të Gjirit Persik është i rëndësishëm për nxitjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe se Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar gjithmonë aleatët e tyre të Gjirit që t’i sheshojnë mosmarrëveshjet.

"Unë shpresoj se Kuvajti dhe Omani përsëri mund të luajnë një rol pozitiv në përpjekjet për ta zgjidhur këtë çështje. Sheiku Tamim (Emiri i Katarit) shkoi javën e kaluar në Kuvajt: besoj ky është një hap për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Shtetet e Bashkuara duhet ta mbështesin përsëri këtë përpjekje.”

Shtetet arabe i kanë prishur në të kaluarën marrëdhëniet diplomatike me Katarin, por të hënën disa prej tyre ndërprenë edhe udhëtimin brenda dhe jashtë Katarit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG