Lidhje

Trump vë në shënjestër trashgiminë e zotit Obama mbi Iranin, Kubën dhe klimën


Marrëveshja bërthamore me Iranin. Marrëveshja e Parisit për klimën. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kubën. Këto ishin iniciativat kryesore të politikës së jashtme që përcaktuan trashëgiminë e ish presidentit Barack Obama. Dhe të gjitha ato po kërcënohen nga presidenti Donald Trump.
Donald Trump asnjëherë nuk ka patur ndrojtje të kritikojë politikën e jashtme të ndjekur nga paraardhësi i tij.

“Fakti është se ne trashëguam një rrëmujë. Është vërtetë një rrëmujë.”

Por në realitet, presidenti Trump nuk kishte ndryshuar ndonjë element të rëndësishëm të politikës së jashtme të Barack Obamës… deri së fundmi.

Tani, që nga shtimi i retorikës për Iranin gjatë takimit të tij me udhëheqësit arabë, e deri tek tërheqja nga marrëveshja e Parisit, presidenti Trump po ndryshon në mënyrë agresive pjesë të rëndësishme të trashgimisë së politikës së jashtme të presidentit Obama.

“Nuk ka dyshim se brenda kësaj administrate merr pikë nëse zhbën atë që ka bërë administrata e mëparshme.”

Christy Goldfuss, i cili ka punuar për politikat ambjentaliste në Shtëpinë e Bardhë, e sheh marrëveshjen e Parisit si një nga arritjet kryesore të politikës së jashtme të presidentit Obama. Megjithëse është nënshkuar nga 195 vende, marrëveshja nuk u ratifikua asnjëherë nga Kongresi. Kjo e bën atë më të lehtë për t’u përmbysur nga pasuesi i zotit Obama.

Kjo është gjithashtu e vërtetë për marrëveshjen bërthamore me Iranin, të cilën presidenti Trump e ka kritikuar edhe pse nuk është shfuqizuar ende.

Një tjetër objektiv i prekshëm? Politika e presidentit Obama për ri-angazhimin me Kubën. Shtëpia e Bardhë është pranë përfundimit të rishikimit të politikës me Kubën.

Askush nuk e di se sa të gjera do të jenë ndryshimet, por nuk ka asgjë që e pengon zotin Trump të kthejë mbrapsh këtë politikë, thotë John Kavulich me Këshillin Ekonomik dhe Tregëtar SHBA-Kubë.

“Duhet vetëm stilolaps. Dhe siç e kemi parë i pëlqejnë stilolapsat. I pëlqen të ketë shumë prej tyre.”

Gjatë fushatës, zoti Trump mbajti një qëndrim të rreptë ndaj Kubës, duke kërcënuar të ndryshonte politikat e zotit Obama.

Tani për tani, presidenti Trump duket të jetë përqëndruar në çështjet e brendshme, dhe një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se nuk do të ketë një vendim të shpejtë.

Por, për shumë analistë, ndryshimi vetëm sa ka filluar.

“Pres që të shohim shumë më tepër përpjekje për të zhbërë dhe ndryshuar shumë nga përparimet e bëra gjatë tetë viteve të fundit. Kjo duket të jetë përparësi dhe nuk ka asnjë tregues se ata po hezitojnë apo duan të ndalen.”


Sigurisht në përmbysjen e politikave të Obamës, vetë zoti Trump po vepron në mënyrë të njëanëshme. Që do të thotë se këto lëvizje gjithashtu, mund të ndryshojnë një ditë nga pasardhësi i tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG