Lidhje

Paris, policia plagos një person pranë katedrales Notre Dame


Ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb tha të martën se njeriu që sulmoi me çekiç një polic në katedralen Notre Dame të Parisit kishte thirrur: "Kjo është për Sirinë!"

Collomb u tha gazetarëve jashtë katedrales se një kartë identifikimi e gjetur në trupin e personit, tregonte se ai ishte student algjerian.

Zyra e prokurorisë franceze tha se njësia e saj e anti-terrorit ka nisur hetimet mbi sulmin, i cili ndodhi kur policët po patrullonin në sheshin përpara katedrales, një objekt turistik popullor.

Autoritetet e Parisit thanë se një polic shtiu dhe e plagosi njeriun kur ai sulmoi një tjetër oficer me çekiç. Ministri Collomb tha se polici i plagosur është në gjendje të qëndrueshme.

Ministri tha se sulmuesi kishte gjithashtu thika kuzhine, një tregues i prirjes për akte terroriste që shkojnë nga “shumë të sofistikuara tek ato me çfarëdo mjete ose instrumente që mund të gjejnë".

Collomb tha se sulmuesi kishte vepruar në mënyrë të pavarur, i palidhur me dikë tjetër.

Sipas ministrit, ai dhe ministrat e tjerë të brendshëm europianë do të takohen së shpejti për të mësuar më mirë se si të koordinojnë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës në luftën kundër terrorizmit.

Parisi vazhdon të jetë nën masa të forta sigurie pas disa sulmeve terroriste vitet e fundit, duke përfshirë edhe sulme kundër personelit të sigurisë dhe të rendit.

Në muajin prill, një person shtiu ndaj një furgoni të policisë në Champs Elysees të Parisit. Një oficer u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Sulmuesi u qëllua për vdekje nga policia.

Të shtunën, nga një sulm terrorist në Urën e Londrës dhe në një restorant aty pranë u vranë shtatë vetë. Të tre personat që sulmuan u vranë nga policia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG