Lidhje

Imigracioni dhe sfidat e një vietnamezo-amerikani


Kristopher Larsen mësoi në burg se nuk ishte shtetas amerikan. Në vitin 1975 ai u birësua nga një familje amerikane

Vietnamezo-amerikani Kristopher Larsen mësoi se ai nuk ishte shtetas amerikan kur po kryente dënimin me burg për rrëmbim në shtetin e Uashingtonit. Larsen u ballafaqua me mundësinë e dëbimit nga vendi. Ai ishte në të 40-at dhe kurrë nuk e kishte menduar se mund të mos ishte shtetas amerikan. Larsen është një nga mijëra shtetasit e huaj të birësuar nga prindër amerikanë, të cilët nuk kanë nënshtetësin amerikane, sepse prindërit e tyre nuk kanë ndjekur procedurat e marrjes së shtetësisë për ta.

Raport i korrespondentes së Zërit të Amerikës Aline Barros.

Në fund të Luftës së Vietnamit më 1975, Presidenti Gerald Ford urdhëroi evakuimin e jetimëve vietnamezë gjatë një misioni të njohur si Operacioni “Babylift”. Katërvjeçari Kristopher Larsen ishte në mesin e atyre fëmijëve, të birësuar nga një familje ushtarakësh amerikanë.

Ai thotë se u rrit në një familje tipike amerikane:

"Unë do të thoja se jeta ime ishte e një fëmije tipik të rritur në Alaska. Gjithmonë me aktivitete jashtë, gjithmonë me familjen, për mua ishte një jetë e përkryer".

Larsen studoi në universitet dhe nisi një karrierë në fushën e informatikës. Me kalimin e kohës, ai u martua, u bë me dy fëmijë dhe u vendos në Siatëll.

"Në një moment unë kisha gjithçka që mund të dëshiroja".

Por, pas një periudhe të trazuar në martesë, që çoi në probleme me alkoolin, gruaja e tij i mori fëmijët dhe u largua.

"Kjo më çoi në pikën më të ulët në jetën time. Pastaj unë vendosa të bëja vetëvrajse duke u ngatërruar me policinë. Për ta realizuar këtë unë rrëmbeva një njeri tjetër".

Ai rrëmbeu një nëntë vjeçare dhe pastaj i telefonoi prindërit e saj për t’u kërkuar para. Një gjykatës shtetëror i Uashingtonit e dënoi Kristopher Larsenin me 12 vjet burg. Dhe pikërisht në burg ai u gjet nga autoritetet e imigracionit.

"Më thanë se do ta humbisja vendin e punës në burg dhe nuk do të isha në gjendje të studioja. Në thelb, të gjitha të drejtat që kishte një i burgosur tipik unë i humba, sepse më thanë se kishte një urdhër për dëbim nga vendi".

Për qeverinë amerikane, Larsen ishte një shtetas i padokumentuar vietnamez me një dosje penale.

"Familja ime më ka thënë se jam i birësuar. Se ja shtetas amerikan dhe kam jetuar me familjen që nga viti 1975."- thotë ai.

Por qeveria thotë se familja e Kristopher Larsenit nuk kishte aplikuar për shtetësinë e tij. Rreth 35,000 shtetas të huaj të birësuar nga prindër amerikanë nuk kanë nënshtetësinë amerikane, sepse prindërit e tyre nuk i kanë mbaruar procedurat e marrjes së shtetësisë.

Becky Belcore, Organizata “Fushata për të Drejtat personave të Birësuar”

"Ose e dinin, por procesi ishte tepër i shtrenjtë dhe tepër i vështirë dhe ata kishin kaluar tashmë një proces të gjatë dhe të shtrenjtë të birësimit, dhe thjesht nuk i kanë ndërprerë procedurat e marrjes së shtetësisë. Ose ndodh që fëmijët e birësuar mund të jenë vendosur në shtëpi abuzive, prandaj prindërit e tyre adoptues thjesht nuk e kanë mbaruar procesin".

Zonja Belcore thotë se në vitin 2001 Kongresi miratoi një ligj që i jep në mënyrë automatike shtetësinë fëmijëve të birësuar nga vende të tjera. Ligji, megjithatë, vlen vetëm për njerëzit e lindur pas vitit 1983. Për të zgjidhur këtë çështje, organizata “Fushata për të Drejtat e Personave të Birësuar” ka ndihmuar në hartimin e Aktit të Nënshtetësisë. Projekt-ligji u bllokua në Kongres vitin e kaluar, por mbështetësit e tij po punojnë për hedhjen e tij në votim.

Krispopher Larsen ka mbaruar dënimin me burg, por nuk është dëbuar, sepse Vietnami nuk i pranon qytetarët e tij që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara para vitit 1995.

"Tani kam ngecur. Nuk mund të largohem nga Shtetet e Bashkuara," thotë ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG