Lidhje

Media: Hodgkinson ishte kritik i ashpër i Presidentit Trump


Personi që hapi zjarr ndaj ligjvënësve republikanë, gjatë një stërvitjeje bejzbolli në Aleksandria të shtetit Virxhinia, ishte një kritik i ashpër i Presidentit Donald Trump, sipas njoftimeve të mediave sociale. Në mediat amerikane gjithashtu thuhet se vitin e kaluar ai ishte vullnetar në fushatën e senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders.

James Hodgkinson, 66 vjeç, nga qyteti Belleville i Ilinoit, plagosi katër vetë, duke përfshirë ligjvënësin Steve Scalise, dy policë të Uashingtonit dhe një anëtar të personelit të një ligjvënësi tjetër të Dhomës së Përfaqësuesve. Përmes një deklarate për mediat, Presidenti Trump njoftoi se Hodgkinson vdiq nga plagët.

Hodgkinson, i cili ishte pronar i një biznesi për inspektimin e shtëpive, kishte një histori problemesh me autoritetet. Sipas të dhënave publike të policisë, në vitin 2006 ai u arrestua për dhunë në familje. Ai gjithashtu duket se ka qenë një mbështetës aktiv i fushatës për president të senatorit Bernie Sanders.

REAGON SENATORI SANDERS

Në një deklaratë nga salla e Senatit, Senatori Sanders tha se ishte informuar se Hodgkinson është "dikush që mesa duket ka bërë punë vullnetare në fushatën time presidenciale".

"Jam i trishtuar nga ky akt", tha senatori Sanders. "Dhe më lejoni të jem i qartë. Dhuna e çdo lloji është e papranueshme në shoqërinë tonë dhe e dënoj këtë veprim në termat më të forta".

Dy profile të Facebook-ut që thuhet se i përkisnin James Hodgkinsonit ishin të mbushura me postime pasionante dhe nganjëherë të zemëruara. Fotoja e profilit për njërën nga llogaritë në Facebook e përshkruan senatorin Sanders si njeri të qeverisë. Në profilin tjetër ai thotë se "Socializmi demokratik mund të përmblidhet me këto fjalë: Ne populli", duke iu referuar preambulës së kushtetutës amerikane.

Pothuaj çdo ditë në profilet e tij në Facebook ai kritikonte presidentin Trump, shpesh duke përdorur gjuhë vulgare.

"Trump është fajtor dhe duhet të shkojë në burg për tradhti", thuhet në një nga postimet në faqen e Hodgkinsonit të publikuar në fillim të këtij muaji.

Në disa postime të tjera, Hodgkinson kritikonte edhe ish kandidaten demokrate për president, Hillary Clinton.

Pasi zyrtarët e zbatimit të ligjit njoftuan se ata besonin se Hodgkinson ishte autori i sulmit, profilet e Facebookut u konvertuan në një hapësirë të improvizuar për debate politike.

TRUMP DËNON ASHPËR INCIDENTIN

Presidenti Donald Trump e dënoi plagosjen e ligjvënësit të lartë republikan, duke e quajtur një "sulm shumë, shumë brutal" dhe bëri thirrje që të gjithë amerikanët të lënë mënjanë dallimet dhe të luten për shërimin e viktimave.

Presidenti Trump tha se "shumë jetë do të ishin humbur pa ndërhyrjen heroike" të Policisë së Kapitolit.

"Ne mund të kemi dallimet tona, por ia dalim mirë në momente si këto… sepse mbi të gjitha e duam vendin tonë", tha zoti Trump duke folur nga Shtëpia e Bardhë.

Zoti Trump e quajti kongresmenin Scalise një mik shumë të mirë dhe patriot.

Ishte hera e parë që zoti Trump komentonte si president pas një incidenti me armë zjarri.

Por ndryshe nga fjalimet e shumta të ish-Presidentit Barak Obama në raste të tilla, zoti Trump nuk përmendi rregullat për armët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG