Lidhje

Dy turko-amerikanë nën arrest për dhunë fizike


Dy shtetas amerikanë me origjinë turke janë arrestuar nën akuzat se kanë luajtur rol në përleshjet e dhunshme para amasadës turke në Uashington, ndërkohë që Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan zhvillonte një vizitë në Shtetet e Bashkuara. Incidenti i kapur në video nga gazetarët e Zërit të Amerikës, ka acaruar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë.

Policia e Uashingtonit njoftoi përmes një deklarate se Sinan Narin me banim në Virxhinia akuzohet për sulm fizik të shkallës së rëndë, si dhe sulm të kategorisë më të ulët. Personi i dytë, Eyup Yildirim nga Nju Xhërsi përballet me dy akuza për sulm të shkallës së rëndë. Deklarata e policisë nuk specifikon nëse personat e akuzuar ishin përkrahës të Erdoganit, pjesëtarë të grupit të rojeve personale apo protestues.

Deri tani janë ngritur akuza edhe kundër dy individëve të tjerë, një prej tyre protestues. Videoja e regjistruar nga gazetarët e shërbimit turk të Zërit të Amerikës tregon rrëmujën e krijuar para ambasadës turke në Uashington, ku shihen disa individë duke goditur me shkelma një grua që është rrëzuar në trotuar, duke qëlluar në fytyrë një protestues me altoparlant në dorë. Në pamjet e xhiruara shihen burra të veshur me kostume të errëta, duke ndjekur protestuesit anti-qeveritarë, duke i qëlluar me grushte e me shkelma, ndërkohë që policia e Uashingtonit përpiqet të ndërhyjë.

Incidenti solli acarime në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Autoritetet turke ngritën pretendimin se rojet personale të zotit Erdogan kishin vepruar në vetëmbrojtje gjatë incidentit, por pa ofruar prova për pretendimin.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se departamenti do të shqyrtojë marrjen e masave shtesë ndaj individëve të sapo-arrestuar. Sipas gazetës New York Times, priten të ngrihen akuza kundër të paktën 10 pjesëtarëve të ekipit të sigurimit të Presidentit Erdogan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG