Lidhje

Putin: Rusia nuk është armike e Shteteve të Bashkuara


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se nuk beson që vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara janë armiq, dhe nuk u dha rëndësi sanksioneve të reja që u vendosën ndaj vendit të tij nga ligjvënësit amerikanë.

Gjatë një konference të përvitshme për shtyp ku ai u përgjigjet pyetjeve nga publiku rus, zoti Putin tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kishin luftuar në krah të njëri-tjetrit gjatë dy luftrave botërore dhe se "perandoria ruse kishte luajtur rol kyç në garantimin e pavarësisë amerikane".

Zoti Putin tha se histeria që ka kapur median, ndikon tek perceptimet e publikut rus, por "shumë njerëz në Rusi i admirojnë arritjet e popullit amerikan dhe shpresoj që marrëdhëniet të normalizohen", tha ai. Komentet e zotit Putin vijnë një ditë pasi senati amerikan votoi me shumicë dërrmuese votash për të forcuar sanksionet kundër Rusisë, si ndëshkim për ndërhyrjen tek zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Sanksionet e reja të miratuara të mërkuren nga Senati, vënë në shënjestër rusët që janë përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, që kanë furnizuar me armë qeverinë siriane, që kanë kryer aktivitete të dëmshme kibernetike, dhe kanë hyrë në biznes me zbulimin dhe mbrojtjen ruse. Sanksionet duhet të miratohen nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga Presidenti, që të hyjnë në fuqi. Presidenti rus e shpërfilli efektivitetin e sanksioneve dhe tha se çështjet e brendshme amerikane ishin arsyeja për vendosjen e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG