Lidhje

Dhuna tek ambasada turke në Uashington: Policia nxjerr 14 urdhër arreste


Policia e Uashingtonit ka lëshuar urdhër arreste për 14 persona, përfshirë dhe një agjent turk të sigurisë, për shkak të rolit të tyre në sulmin ndaj protestuesve jashtë ambasadës turke. Ngjarja ndodhi pas një vizite në Shtëpinë e Bardhë të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan muajin e kaluar.

"Duke përdorur videon e incidentit, zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë qenë në gjendje të identifikojnë shumicën e të dyshuarve që u përfshinë në sulm" tha në një konferencë shtypi të enjten shefi i policisë së Uashingtonit Peter Newsham.

Nga 13 burra dhe një grua në kërkim lidhur me incidentin, dy janë shtetas kanadezë ndërsa pjesa tjetër shtetas turq.

Të mërkurën u arrestuan dy persona. Policia e Uashingtonit njoftoi përmes një deklarate se Sinan Narin me banim në Virxhinia akuzohet për sulm fizik të shkallës së rëndë si dhe një sulm të një kategorie më të ulët. Personi i dytë, Eyup Yildirim nga Nju Xhërsi përballet me dy akuza për sulm të shkallës së rëndë.

Ngjarja ka tensionuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Uashingtoni e quajti sjelljen e rojeve turke të sigurisë "thellësisht shqetësuese". Njëmbëdhjetë njerëz u plagosën në atë që shefi i policisë së Uashingtonit e cilësoi si "sulm brutal" mbi protestuesit paqësorë.

"Siç e kam thënë më parë, e dënoj këtë sulm", u tha gazetarëve të enjten kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser. "Ishte një fyerje ndaj vlerave tona si qytetarë të Uashingtonit dhe si amerikanë. Ky ishte një sulm i qartë ndaj amendamentit të parë të kushtetutës amerikane", tha ajo.

Videoja e regjistruar nga gazetarët e shërbimit turk të “Zërit të Amerikës” tregon rrëmujën e krijuar para ambasadës turke në Uashington, ku shihen disa individë duke goditur me shkelma një grua të rrëzuar në trotuar si dhe duke qëlluar në fytyrë një tjetër protestues. Në pamjet e xhiruara shihen burra të veshur me kostume të errëta, duke ndjekur nga pas protestuesit anti-qeveritarë, duke i qëlluar me grushte e me shkelma, ndërkohë që policia e Uashingtonit përpiqet të ndërhyjë.

Incidenti solli acarime në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Autoritetet turke ngritën pretendimin se rojet personale të zotit Erdogan kishin vepruar në vetëmbrojtje gjatë incidentit, por pa ofruar prova për pretendimin.

Sipas gazetës New York Times, pritet të ngrihen akuza kundër të paktën 10 pjesëtarëve të ekipit të sigurimit të Presidentit Erdogan.

XS
SM
MD
LG