Lidhje

UNHCR: Rritet numri i refugjatëve


E

Një raport i ri ka zbuluar se më shumë njerëz se kurrë më parë janë bërë refugjatë ose janë zhvendosur brenda vendit për shkak të luftës, dhunës dhe persekutimit.

"Raporti i Prirjeve Globale" i agjencisë së OKB-së për Refugjatët, (UNHCR) publikuar në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve, më 20 qershor, tregon se një shifër e pashembullt, 65.6 milionë njerëz, janë zhvendosur me forcë në fund të vitit 2016, një rritje prej 300,000 njerëzish nga viti i kaluar.

Gati dy të tretat, janë persona të zhvendosur me forcë brenda vendit të tyre. Numri i refugjatëve në mbarë botën ka arritur në 22.5 milionë, që raporti thotë se "është shifra më e lartë e parë ndonjëherë".

UNHCR-ja njofton se në mbarë botën, një në çdo 113 vetë, është ose refugjat ose është i zhvendosur me forcë brenda vendit të vet. Nga 65.6 milionë njerëz, që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre vitin e kaluar, raporti thotë se 10.3 milionë u zhvendosën rishtazi, gjë që barazohet me zhvendosjen e një personi çdo tre sekonda.

Ndërkohë që njerëzit vazhduan të largohen në numër rekord, raporti zbuloi se vitin e kaluar rreth 500 mijë refugjatë u kthyen në shtëpi dhe rreth 6.5 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit u kthyen në vendet e tyre të origjinës, edhe pse "shumë e bënë këtë në rrethana më pak të përshtatshme dhe përballen me perspektiva të pasigurta".

Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë për Refugjatë, tha: "kjo është një situatë jashtëzakonisht e paqëndrueshme, një situatë jashtëzakonisht dinamike, e cila pasqyron konfliktet që vazhdojnë të ndikojnë kryesisht dhe në mënyrë të dhunshme civilët".

Të dhënat tregojnë se konflikti sirian ka shkaktuar numrin më të madh të personave të zhvendosur në mbarë botën, me 12 milionë banorë ose pothuajse dy të tretat e popullsisë, të zhvendosur brenda vendit ose që jetojnë si refugjatë, kryesisht në pesë vende fqinje: Turqi, Jordani, Liban, Irak dhe Egjipt.

"Turqia vazhdon të jetë për të tretin vit radhazi, vendi pritës më i madh", tha Grandi. "Por, Libani, një tjetër nga vendet fqinje, është ai që ka numrin më të madh të refugjatëve për kokë në krahasim me popullsinë lokale".

Raporti vëren se Afganistani dhe Iraku kanë vendin e dytë dhe të tretë për nga numri i personave të zhvendosur me forcë dhe se Sudani i Jugut ka krizën më të shpejtë në rritje të refugjatëve dhe të shpërnguljeve në botë.

"Raporti, i cili i referohet statistikave në fund të vitit 2016, tregon se numri i refugjatëve nga Sudani i Jugut në vendet fqinje ka arritur në 1.4 milionë vetë dhe pothuajse dy milionë të tjerë janë të zhvendosur brenda vendit", tha zoti Grandi. "Këto shifra janë ndoshta më të larta. Ne sigurisht kemi numëruar të paktën gjysmë milioni më shumë njerëz në gjysmën e parë të këtij viti sa i përket refugjatëve ".

Ai shtoi se shumica e njerëzve nga Sudani Jugor kanë kërkuar strehim në Sudanin fqinj, Ugandë, Etiopi, Kenia, Republikën Demokratike të Kongos dhe Republikën Qendrore Afrikane.

Raporti vëren se shumica e refugjatëve, 84 për qind, janë nga vendet në zhvillim dhe gjysma e tyre janë fëmijë. Ndërsa vendet më të varfëra në botë mbajnë barrën më të madhe të krizës globale të refugjatëve, raporti zbuloi se shumica e 2.8 milionë kërkesave për azil në vitin 2016 u bënë në vendet e pasura.

UNHCR-ja tha se vendi me kërkesat më të larta për azil ishte Gjermania, me më shumë se 722,400 aplikantë të regjistruar vitin e kaluar. Shtetet e Bashkuara ishin në vendin e dytë me 262,000 kërkesa të reja.

Raporti e quan një zhvillim shqetësues numrin e madh të fëmijëve të pashoqëruar që kanë kërkuar azil.

"Tragjikisht, 75,000 kërkesa për azil u morën nga fëmijë që kanë udhëtuar vetëm ose kanë qënë të ndarë nga prindërit e tyre". Raporti i UNHCR-së shton se edhe ky numër ndoshta "është nën shifrën e vërtetë".

Komisioneri i Lartë Grandi tha se një nga shqetësimet e tij më të mëdha ishte kontributi në rënie i bashkësisë ndërkombëtare për të përmbushur nevojat e krizës së refugjatëve dhe të të zhvendosurve.

Për shembull, ai tha se është arritur të grumbullohet vetëm 23 për qind e apelit të bërë nga OKB-ja për 8 miliardë dollarë ndihmë për krizën siriane.

Zoti Grandi i tha Zërit të Amerikës: "Unë shpresoj se kjo është një çështje e premtimeve të vonuara nga faktorë të ndryshëm dhe jo sepse sirianët po harrohen".

Zoti Grandi vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara ishin donatori më i madh për programet e refugjatëve dhe se Uashingtoni ka kontribuar 1.5 miliardë dollarë për UNHCR-në vitin e kaluar.

“Mendoj se këtë vit buxheti do të jetë i qëndrueshëm. Ka pasiguri përsa i përket buxhetit vitin e ardhshëm”, tha ai. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndihmën për refugjatët, por me ndihmën e huaj në përgjithësi.”

Zoti Granti tha se UNHCR-ja është bashkuar me zërat e shumë të tjerëve, përfshi atë të Shteteve të Bashkuara “për të thënë se ndihma e jashtme është një mjet i rëndësishëm për qëndrueshmërinë ndërkombëtare dhe është një mjet humanitar që shpëton jetë njerëzish.”

Administrata e presidentit Trump ka propozuar 30 miliardë dollarë shkurtime në buxhetin për ndihmën e jashtme për vitin e ardhshëm. Megjithëse kjo shumë është më pak se një përqind e buxhetit federal prej 3.8 trilionë dollarësh, anketat tregojnë se amerikanët besojnë se ndihma e jashtme përbën një pjesë më të madhe të buxhetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG