Lidhje

Rivlerësimi i gjykatësve, Xhafaj: Nuk ka kthim pas


Në Shqipëri, ish kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, tha sot se me ngritjen e komisioneve për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve procesi ka hyrë në një rrugë pa kthim. “Tashmë procesi i zbatimit të Reformës në Drejtësi konsiderohet i nisur. Rruga është pa kthim. Treni i Drejtësisë do të shkojë në destinacionin e projektuar dhe të dëshiruar prej të gjithë shqiptarëve. Ngritja e komisioneve të Vettingu-t i hap që sot dritën jeshile procesit për verifikimin dhe skanimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurëve dhe më pas kostituimit të të gjithë institucioneve të reja të sistemit”, deklaroi zoti Xhafaj në një prononcim për shtypin.

Fundjavën e shkuar parlamenti votoi në bllok 27 anëtarët e Komisionit të rivlerësimit, Kolegjit të Apelit dhe dy Komisionerët dhe zëvendësit e tyre. Zoti Xhafa u shpreh se “pengmarrësit dhe gjobaxhinjtë në gjykata dhe prokurori, jo vetëm do përjashtohen, por për disa prej tyre ndëshkimi i ligjit nuk do të ndalojë me kaq”. Sipas tij “segmente të politikës së korruptuar dhe korporatës së kalbur të gjyqtarëve e prokurorëve”, siç u shpreh ai “kanë kohë që ndjejnë frikën nga një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe me integritet”.

Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dy ligje të tjera të Reformës në Drejtësi janë ankimuar sërish në Gjykatën Kushtetuese nga dy shoqatat e gjyqtarëve. Një lëvizje e papritur e cila u pa gjerësisht si një përpjekje për të frenuar procesin që sapo pritet të nisë. Ambasada amerikane në Tiranë reagoi përmes një deklarate duke theksuar se “populli shqiptar duhet të shqetësohet nga përpjekjet për të dobësuar reformën, për të mbrojtur gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, përfshirë ata që kanë lidhje me krimin e organizuar”.

Ndërsa ambasadat e Shteteve anëtare të BE-së dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë në një deklaratë të përbashkët u shprehën se “rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashikohet në legjislacionin që është rishikuar tanimë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duhet të fillojë. BE-ja kujton se progresi i besueshëm dhe i prekshëm i pesë përparësive kyçe, zbatimi i reformës së drejtësisë dhe në veçanti i ligjit të rivlerësimit janë thelbësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG