Lidhje

Shqipëri, prokurori kërkon 13 vjet burg për nipin e ish-diktatorit Hoxha


Në Shqipëri, një prokuror kërkoi dënimin me burg për nipin e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha dhe tetë bashkëpunëtorëve të tij për trafikim kokaine drejt Evropës Perëndimore.

Prokurori i kërkoi Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë burgim me 13 vjet për Ermal Hoxhën dhe afate burgimi nga 13 deri në 15 vjet për anëtarët e tjerë të atij që njihet si grupi “Xibraka”, ku përfshihen dy kolumbianë. Në total u kërkuan 126 vite burgim.

42 vjeçari Ermal Hoxha dhe të tjerët u arrestuan në janar 2015, të akuzuar për krijimin e një grupi të organizuar kriminal i cili kishte importuar një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ishte fshehur kokaina. Kjo lëndë i nënshtrohej më pas përpunimit në një laborator të ngritur në zonën e Labinotit në Elbasan, ku trajtohej lënda bazë që përmbante kokainën deri sa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.

Në operacionin e kryer nga policia që çoi në arrestimin e anëtarëve të grupit, u gjetën disa dhjetra kilogram kokainë, dhe sasi të mëdha përzierësish dhe lëndësh të tjera që shërbenin për përpunimin e drogës, e cila si destinacion kryesor kishte Gjermaninë. Në fakt, kishin qenë autoritetet gjermane të cilat kishin sinjalizuar palën shqiptare për këtë linjë trafiku në dhjetor të vitit 2014. Autoritetet shqiptare hetuan për disa muaj, duke përgjuar anëtarët e grupit deri kur vendosën që të ndërhynin për arrestimin e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG