Lidhje

Zgjedhjet në Xhorxhia për Kongresin amerikan


Sot votuesit në shtetin jugor amerikan Xhorxhia po zgjedhin ligjvënësin e tyre të ri në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve të posaçme që po vëzhgohen nga afër si një provë për tërheqjen e republikanëve nën administratën e zotit Trump dhe perspektivave të partisë për të ruajtur shumicën në Kongres vitin që vjen.

Rëndësia që dy partitë i kanë kushtuar garës duket qartë nga paratë e shpenzuara nga të dy krahët, me më shumë se 50 milion dollarë, një shumë që nuk është shpenzuar asnjëherë më parë në zgjedhjet për Kongres.

Kandidati 30 vjeçar demokrat, Jon Ossoff, është një ish punonjës i Kongresit që konkuron për herë të parë në zgjedhje. Ai fitoi raundin e parë të votimeve në muajin prill por jo votat e mjaftueshme për të fituar mandatin.Kundërshtarja republikane, 55 vjeçarja Karen Handle, ka qënë Sekretare Shteti e Xhorxhias.

Fituesi do të zëvendësojë republikanin Tom Price, para se Presidenti Trump e emëroi atë për të drejtuar Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. Zoti Trump fitoi me një epërsi prej vetëm 1 për qind në të njëjtin distrikt, ndaj rivales demokrate Hillary Clinton. Presidenti postoi disa mesazhe të hënën në rrjetin social Twitter ku kritikonte zotin Ossoff dhe u bënte thirrje votuesve të mbështesnin zonjën Handel.

Sondazhet para votimeve të sotme tregonin një mbështetje të barabartë për kandidatët, duke sinjalizuar kështu një ndryshim nga votimet për të njëjtin mandat shtatë muaj më parë të mbajtur nga republikanët që nga viti 1979.

Pavarësisht fituesit, kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim domëthënës të menjëhershëm në punën e Dhomës së Përfaqësuesve ku republikanët kanë një shumicë prej 45 vendesh.Republikanët po ashtu presin të fitojnë një vend në zgjedhjet speciale që mbahen sot në Karolinën e Jugut.

Por me demokratët që kanë vëmendjen tek zgjedhjet e vitit që vjen, ku çdo vend në Dhomën e Përfaqësuesve hidhet në votë, një fitore në Xhorxhia do të ishte hapi i parë drejt sigurimit të 24 vendeve të tjera apo më shumë, të nevojshme për të rimarrë shumicën. Një demokrat fitoi zgjedhjet speciale në fillim të vitit në Kaliforni, por ky vend ishte lënë bosh nga një tjetër demokrat. Republikanët nga ana tjetër arritën të mbanin dy vende në zgjedhjet speciale në Montana dhe Kansas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG