Lidhje

SHBA dhe ndarja e zonave zgjedhore


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka vendosur të shqyrtojë nëse ligjvënësit e shteteve mbështeten së tepërmi tek prirjet e tyre politike kur përcaktojnë kufijtë gjeografikë të distrikteve për zgjedhjet për Kongres, duke i dhënë vetes një avantazh të padrejtë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.

Gjykata më e lartë në vend tha të hënën se më vonë këtë vit do të shqyrtonte një mosmarrëveshje në shtetin Uiskonsin, ku ligjvënësit republikanë bënë ndarje të distrikteveqë u dhanë atyre avantazh politik mbi demokratët.

Një panel me tre gjykatës, me një vendim 2-1, hodhi poshtë përcaktimin e kufijve të distrikeve nga republikanët, duke vendosur në favor të demokratëve që kundërshtonin ligjshmërinë e kufijve politikë. Gjykata më e ulët vendosi që distriktet duhet të rindahen në kohë për votimet e nëntorit të vitit që vjen.

Por shteti i Uiskonsit e apeloi vendimin, gjë që solli si rezultat marrjen në shqyrtim të mosmarrëveshjes nga Gjykata e Lartë.

Gjykata e Lartë ka marrë shpesh në shqyrtim çështjen nëse ndarjet e distrikteve për votimet kanë funksionuar në disavantazh të pakicave racore në përpjekje për të fituar përfaqësim në Kongres. Por gjykata rrallë ka shqyrtuar çështjen e ndarjeve të qëllimshme të distrikteve me prapavija partiake. Vendimet e marra në vitin 1986 dhe 2004 nuk ofruan udhëzime të qarta për kompetencat e ligjvënësve të shteteve për ndarjen politike të distrikteve zgjedhore.

Në Shtetet e Bashkuara, kufijtë politikë të distrikteve zakonisht ripërcaktohen çdo dhjetë vjet nga legjislaturat shtetërore pas regjistrimeve të fundit të popullsisë, ku çdo njëri nga 50 shtetet merr të paktën një vend në Dhomën e Përfaqësuesve dhe secila prej 435 vendeve është e ndarë përafërsisht me numër të barabartë popullsie.

Partitë politike që kanë kontrollin e legjislaturave shtetërore kanë në dorë përcaktimin e kufijve të zonave elektorale dhe shpesh herë përpiqen t’i vendosin ato në mënyrë të tillë që të kenë avantazh maksimal politik për zgjedhjen e kandidatëve të tyre. Pyetja për rastin në shtetin Uiskonsin është nëse republikanët përcaktuan ndarje të arsyeshme të distrikteve zgjedhore ose ishin të padrejtë ndaj rivalëve demokratë. Një vendim përfundimtar i Gjykatës së Lartë do të vendose standarde për ndarjen e distrikteve zgjedhore në mbarë vendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG