Lidhje

Belgjikë, katër arrestime në lidhje me sulmin e dështuar


Autoritetet në Belgjikë njoftuan se policia ka arrestuar katër persona në lidhje me sulmin e dështuar me bombë, në një stacion treni në Bruksel.

Sipas zyrës së prokurorit federal arrestimet erdhën pas një operacioni policor që përfshiu edhe lagjen Molenbeek, ku jetonte autori i dyshuar i sulmit.

Deri tani nuk është dhënë asnjë hollësi se si katër personat e arrestuar kishin lidhje me sulmin e dështuar.

I dyshuari si autor i sulmit të së martës është identifikuar si 36 vjeçari me origjinë marokene me inicialet O.Z., mbështetës i mundëshëm i grupit militant Shteti Islamik.

Pajisja e fshehur në një valixhe nuk shpërtheu plotësisht dhe nuk lëndoi askënd. Autori i dyshuar i sulmit u qëllua dhe u vra pas një konfrontimi me policinë.

Në shtëpinë e tij u gjetën përbërje kimike dhe materiale të tjera që mund të përdoren për të prodhuar eksplozivë.

Brukseli ka qenë në gatishmëri të lartë për më shumë se 18 muaj që kur militantët e Shtetit Islamik, kryen sulme në Paris duke vrarë 130 persona në nëntorin e vitit 2015.

Në mars të vitit të kaluar, në sulmet ndaj aeroportit të Brukselit dhe sistemit të metrosë së qytetit u vranë 32 persona.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG