Lidhje

Otto Warmbier përcillet për në banesën e fundit


Rreth 2,500 persona u mblodhën të enjten për të kujtuar Otto Warmbierin, studentin amerikan i cili vdiq këtë javë, pasi u mbajt për gati një vit e gjysëm në një burg të Koresë së Veriut.

Në shtetin e 22 vjeçarit, në Ohajo, miq dhe familjarë morën pjesë në ceremoninë e përmortshme që u zhvillua në mjediset ku ai kreu shkollën e mesme.

Otto Warmbier u dënua me punë të rëndë në Korenë e Veriut, i akuzuar se u përpoq të vjedhë një poster propagandistik nga një hotel në Phenian.

22-vjeçari mbërriti javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara me dëmtime të rënda në tru.

Në fjalimin e tij në funeralin e studentit, Senatori i Ohajos Rob Portman, duke e quajtur Otto Warmbierin "një të ri mahnitës" tha se Koreja e Veriut nuk duhet ta kishte burgosur atë.

"Ky proces ka qenë një dritare për të parë të dyja, të ligën në një anë dhe dashurinë e të mirën, në tjetrën. Sot po shohim të mirën dhe dashurinë që shprehet përmes mbështetjes për Otton dhe familjen e tij", tha zoti Portman.

Presidenti amerikan Donald Trump tha pas vdekjes së Otto Warmbierit se po i soset durimi me regjimin e Koresë së Veriut. Zoti Trump e quajti trajtimin e studentit një "turp të madh" dhe e cilësoi qeverinë e Koresë së Veriut si një regjim brutal që nuk "respekton sundimin e ligjit apo të drejtat themelore të njeriut".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG