Lidhje

Shqipëri, sot mbyllet fushata elektorale

  • Armand Mero

Në Shqipëri sot mbyllet fushata elektorale për zgjedhjet që do të mbahen ditën e dielë. Kjo fushatë u dominua nga tre forcat kryesore, Partia socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja socialiste për integrim të cilat konkurrojnë më vete. Kryeministri Edi Rama po kërkon një mandat të dytë dhe kontrollin i vetëm, të shumicës së ardhshme parlamentare. Kreu i opozitës Lulzim Basha ka vënë fokusin te ekonomia e vendit, ndërsa LSI-ja është përqëndruar në një betejë me dy forcat e mëdha, pas marrëveshjes së arritur mes drejtuesve të tyre në maj.

Shtrëngimi i duarve mes kryeministrit dhe kreut të opozitës pas disa orësh takimi kokë më kokë, ishte akti që shënjoi edhe rrjedhën e zhvillimeve për zgjedhjet e së dielës së ardhshme. Kreu i opozitës la çadrën e protestës tre mujore, për t’u rikthyer në selinë e partisë prej nga pak ditë më vonë ai do të dalë më një listë surprizë emrash për kandidatët me të cilët do të garojë. Një listë e shoqëruar me polemika të shumta për shkak të figurave me peshë të lëna jashtë, së bashku me kritikët e tij. Por zoti Basha do të mbrojë përzgjedhjen e tij personale duke folur për një listë fituese e cila përfaqësonte sipas tij, ndryshimin që qytetarët kishin kërkuar. Me fillimin e fushatës zërat e kundërshtarëve të tij u zbehën. Zoti Basha i qëndroi larg sulmeve me tone të ashpra, duke u përqëndruar në premtimet e pambajtura të shumicës, dhe duke i mëshuar programit të tij ekonomik që premton ulje të taksave: “Më 25 Qershor, këtë të dielë, nuk do të votojmë, për lojërat, teket dhe qejfet e Edi Ramës, as për justifikimet e tij. Mbajeni mend, më 25 Qershor votojmë për ekonominë, punësimin e taksat e ulëta pa të cilat nuk ka ekonomi të fortë”.

Ndërsa mbylli me marrëveshjen e majit një krizë që vështirë se do të mund të kalonte pa pasoja, kryeministrit Rama ju hap një e çarë e madhe në gjirin e koalicionit me të cilin ai drejtoi vendin për katër vjet. Ndarja me LSI-në është përfundimtare. Shkëmbimet e replikave dhe akuzave, dhe gjuha e helmit mes eksponentëve të të dy krahëve ka qenë thuajse e përditshme. Kryeministri fajëson për ndarjen, “lojën me dy porta” nga ana e LSI-së, ish themeluesin e drejtuesin e së cilës, zotin Ilir Meta, socialistët e votuan vetëm pak kohë më parë për postin e presidentit të ardhshëm të vendit. Zoti Rama tani po kërkon një mandat të dytë qeverisës, duke këmbëngulur në nevojën që i vetëm të ketë kontrollin e shumicës parlamentare, duke premtuar një ndërhyrje radikale në administratën shtetërore, punësimet në të cilën ndahen si thela mes partive të pushtetit: “Unë po i flas hapur shqiptarëve: Nëse ju mendoni se është momenti për t’i hyrë këtij revolucioni në administratë, ky revolucion mund të nisë vetëm nga ju, vetëm me votë e të bashkuar në 25 qershor, sepse nëse ne nuk kemi numrat, atëherë jemi fitues, por do të na duhet të ulemi dhe të bëjmë një koalicion, ku jam i bindur do të jetë shumë e vështirë për të ndërmarrë këtë revolucion e për ta çuar atë deri në fund brenda katër viteve”.

E mësuar me rolin e forcës që përcakton nga cila anë do të anojë peshorja e pushtetit, LSI u gjet e papërgatitur nga marrëveshja Rama-Basha e cila u pa si një përpjekje për ta lënë atë jashtë skenës së qeverisjes së ardhshme. Ndonëse kishte premtuar se nuk do të përfshihej në fushatë, i porsa dorëhequr nga posti i kryetarit, zoti Meta u rikthye duke i dhënë sërish tonin asaj në cdo cep të vendit. Disa incidente me përfaqësuesit dhe mbështetësit e saj, i rritën tensione kryesisht me kreun socialist, i cili ishte në qendër të sulmeve të zotit Meta, pa lënë jashtë edhe kreun e opozitës. Sipas tij vota e së dielës, “në radhë të parë do të jetë për kreyfaqeziun që flet për Vettingun dhe Reformën në Drejtësi, për atë që e mbuloi të gjithë Shqipërinë me drogë. Do të çlirojmë edhe Edin edhe Lulushin nga oligarkia. Do të bëjmë një marrëveshje në dritë, me transparencë, me të gjithë shqiptarët, me votën e tyre me 25 Qershor”.

Duke përjashtuar kategorikisht mundësinë e një aleance të ardhshme me LSI-në, zoti Rama nuk ka bërë të njejtën gjë kur bëhet fjalë për Partinë Demokratike. Kreu i kësaj të fundit i ka qëndruar më larg hipotezave për koalicionet e ardhshme, ndërkohë që LSI i është përgjigjur me të njejtën monedhë qëndrimit të kryeministrit Rama. Rezultati i së dielës do të jetë ai që do të përcaktojë jo vetëm fituesin, por dhe do të qartësojë formën që do të ketë qeveria e katër viteve të ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG