Lidhje

Rritet numri i të pastrehëve në disa qytete amerikane


Numri i të pastrehëve në Shtetet e Bashkuara ra me 3% gjatë periudhës 2015 – 2016. Por, 13 shtete amerikane, si dhe kryeqyteti Uashington, përjetuan një rritje të numrit të të pastrehëve. Ndër këto shtete është edhe Kalifornia, e cila ka ndër përqindjet më të larta të të pastrehëve. Bashkia e Los Anxhelosit ka pësuar një rritje prej 23% të numrit të të pastrehëve. Ndërsa votuesit e atjeshëm miratuan vendosjen e një takse të re që do të ndihmojë në uljen e nivelit të të pastrehëve, qytetarët thonë se duhet bërë shumë më tepër se kaq.

Shenjat e të pastrehëve gjenden kudo në Los Anxhelos. Këtë lloj jete e njeh mirë Destiny Prescott.

“Flija në makinë apo në plazh”, tregon ajo.

“Po shohim një shtim me shpejtësi të të pastrehëve”, thotë Peter Lynn, i Autoritetit të Strehimit të Los Anxhelosit.

Mendohet se një ndër arsyet kryesore është numri i pakët i shtëpive që ofrohen me qera në zonat ku niveli i varfërisë është tashmë i lartë.

“Ndërsa ekonomia po fuqizohet, rritet dhe kapaciteti për të shpenzuar në tregun e qeramarrjes, por kjo përkthehet në rritje të qerave. Qeratë po rriten me 100$ apo 200$ çdo herë. Askush nuk ka të ardhura të përballojë një nivel të tillë rritjeje”, thotë zoti Lynn.

“Të pasurit po pasurohen më shumë, ndërsa klasa e mesme po zhduket gradualisht”, thotë aktivistja Tanya Tull.

Në Venice, një komunitet bregdetar i Los Anxhelosit, gjenden pranë njëra-tjetrës kampe të të pastrehëve dhe shtëpi disa milionë dollarëshe.

“Banorët i gjejnë të pastrehët duke kryer nevojat në oborrin e shtëpisë. Qyteti duhet të bëjë më shumë për këtë kategori të pastrehësh, si dhe për të ruajtur investimin që kanë bërë banorët e zonës”, thotë William Hawkins, i “Komitetit për të Pastrehët në Venice”.

Një strategji e re që po ndiqet në Los Anxhelos dhe më gjerë në SHBA, është programi i quajtur “E para shtëpia”, që i mundëson strehim të përhershëm një personi të pastrehë, pa vendosur parakushte për të ndjekur kurse arsimimi etj.

“Mendjes njerëzore i duhet një shtëpi, një hapësirë e sigurtë. Pra, duhet ta mundësojmë këtë gjë pavarësisht kostove”, thotë zonja Tull.

“Pasi i sistemon nëpër shtëpira, atëherë fillon t’u ofrosh shërbime nëpërmjet vizitave në shtëpi, si p.sh. kujdes shëndetësor dhe mendor”, thotë Tessa Madden Storms, e organizatës “Path”.

Destiny Prescott dhe e bija u ndihmuan nga programi i strehimit “PATH Gramercy”.

“Gjendemi tashmë në hapësirën tonë. Kemi një derë që e kyçim me çelësin tonë. Na bën të ndjehemi mirë”, thotë zonja Prescott.

Është ky modeli i zgjidhjes që Los Anxhelos synon të ndjekë, pra duke ndërtuar godina të reja dhe duke shndërruar godinat ekzistuese në strehim të përhershëm për të pastrehët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG