Lidhje

Johannes Hahn viziton Maqedoninë


Hahn in Macedonia

Komisioneri i Bashkmit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn po qëndron për vizitë në Maqedoni, ku u bëri thirrje të gjitha palëve që t'u përkushtohen reformave të nevojshme për hapjen e rrugës së këtij vendi drejt integrimit evropian. Ndërkaq, qeveria e Maqedonisë shpreson se deri në fillim të vitit të ardhshëm do të marrë një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me BE-në. Nga Shkupi njofton Isak Ramadani.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn erdhi në Shkup me një mesazh për të gjitha palët: që të përqendrohen tek detyrat, të cilat i kanë para vetes. E ato janë reformat e duhura që do ta çonin vendin drejt integrimit evropian.
Zoti Hahn e bën vizitën e parë pasi Maqedonia zgjodhi qeverinë e re. Ai mori pjesë në një seancë të qeverisë në Shkup lidhur me çështjet me përparësi për Maqedoninë, ndërkohë që theksoi se po vëren një klimë të përshtatshme në vend dhe një dinamikë pozitive të qeverisë së re në zbatimin e veprimtarive në të mirë të qytetarëve.
Komisioneri Hahn u bëri thirrje të gjitha partive politike, gjyqësorit, e medias që të përqëndrohen në krijimin e një shteti modern dhe funksional. Ndërsa theksoi disa herë që debati politik të zërë vend vetëm në parlament.
“Të gjitha reformat që duhen bërë, nuk bëhen me qëllim të plotësimit të dëshirës të ndonjë zyrtari evropian, por për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe ardhmërinë e qytetarëve të këtij vendi”, tha komisioneri.
Ndërkohë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev theksoi shpresat për marrjen e një date për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, pasi vendi të ketë marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian në vjeshtën që vjen. Zaev tha se në atë që njihet si udhërrëfyes, e që përban reformat e domosdoshme, janë sundimi i ligjit, liria e medias, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe raporti i eksperit gjerman Rajnhard Pribe. Dokumenti duhet të jetë gati deri më 1 korrik.
Ndërkohë, kryeministri maqedonas duke u përgjigjur në lidhje me problemin e emrit të Maqedonisë me Greqinë fqinje, tha se është “i bindur që problemi mund të zgjidhet duke ndërtuar një atmosferë miqësore; mirëbesimi i ndërsjelltë në të gjitha fushat do të mund të hapë kushte të paktën minimale për të biseduar në mënyrë të hapur për një çështje thelbësore, siç është ajo e emrit”, tha zoti Zaev.
Ndërkaq, komisioneri evropian Johannes Hahn takoi edhe drejtuesit të tjerë politikë, ndërsa paralajmëroi se prej të martën në Shkup të vijnë ekspertët e BE-së për të ndihmuar vendin në përpjekjet e tij drejt integrimit.
Maqedonia ka marrë statusin vend kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të 2005-ës, por prej atëherë nuk ka shënuar ndonjë përparim drejt strukturave të BE-së.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG