Lidhje

Zgjedhjet, socialistët festojnë fitoren

  • Armand Mero

Në Shqipëri, procesi i numërimit është drejt fundit, ndërsa kanë mbetur ende disa dhjetra kuti. Rezultati i cili sheh fituese Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, që gjithashtu ka garantuar edhe kontrollin e shumicës, nuk rrezikon të ndryshojë. Socialistët do të festojnë sot në mbrëmje në Tiranë. Ndërsa nuk ka ende asnjë prononcim nga Partia Demokratike e cila rregjistroi një humbje të thellë. Nga ana e saj, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim e cila shënoi një rritje duke marrë tre mandate më shumë, tha sot se ajo do të përfaqësojë në parlament opozitën e vërtetë, ndërsa foli për një proces zgjedhor të zhvilluar sipas saj nën terror dhe me shumë parregullsi.

Kutitë e pakta, mbetur ende të panumëruara thjesht mbajnë varur mbylljen zyrtare të procesit, por nuk pritet të ndryshojnë asgjë në tendencën e rezultatit që u vu re që në fillim. Socialistët ruajtën kuotën e 48 përqindshit në shkallë vendi, me mbi 6 pikë më shumë se në 2013, duke rritur me 9 vende praninë e tyre të ardhshme në parlament, ku tani do të kontrollojnë të vetëm shumicën, ashtu siç dhe kishin kërkuar gjatë fushatës.

Partia demokratike mbeti në kuotat e mbi 28 përqind, në rënie krahasuar me zgjedhjet e kaluar, duke humbur të paktën 7 vende, nga 50. Një humbje që është dhe më e thellë nëse do të llogariten dhe tre vendet e republikanëve që këtë herë kaluan nën ombrellën e demokratëve, duke qenë thuasje vetëm formalisht në garë.

Përfundimisht, Lëvizja socialiste për integrim, pati një rritje sin ë përqindje, ashtu dhe në numër vendesh. Në parlamentin e ri ajo do të ketë 19 deputetë. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, duket se do të mbetet me 3 deputetë, ndërsa kryetari i saj po lufton deri në momentin e fundit për mandatin e tij në Tiranë. Deputeti Tom Doshi do të rikthehet në parlament, falë votave të grumbulluara personalisht në Shkodër, ndonëse nën siglën e Partisë Socialdemokrate.

E para që u prononcua zyrtarisht për rezutatin, ishte sot LSI-ja përmes kryetarit të saj, Petrit Vasili. LSI-ja do të kalojë në opozitë, pasi për 8 vjet ndau pushtetin në fillim me demokratët e së fundmi në qeverinë e zotit Rama, ku ministrat e saj vazhdojnë të jenë ende pjesë: “Mijëra e mijëra burra e gra, jo vetëm votuan LSI-në, por votuan më shumë se kaq për t’i ngarkuar asaj një mision historik, i cili ka të bëjë me bërjen e Shqipërisë me një opozitë të vërtetë në këtë vend”.

Zoti Vasili foli për një proces zgjedhor më të shëmtuarin sipas tij, për shkak “të strategjisë së terrorit të lëshimit të miliona parave të pista, të bërjes njësh të Policisë së Shtetit dhe pjesë e bashkë-ideuese, bashkëvepruese e kësaj strategjie terrori ka në krijimin e një klime të tillë”.

Nga ana e tyre socialistët kanë vendosur të festojnë sot në mbrëmje në kryeqytet. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë ditës u shpërndau një mesazh falenderimi deputetëve të tij në të cilin shkruan se socialistët "ia kishin dalë aty ku askush përveç atyre nuk e besonte se do ia dilnim. Kjo fitore - shkruan më tej zoti Rama - është përgjegjësia më e rëndë që mund të merrnim mbi shpatullat tona"

Nga selia e Partisë Demokratike ende asnjë koment. Kryetari demokrat Lulzim Basha, mori përsipër të drejtonte një fushatë bazuar në zgjedhjet e tij personale, e për rrjedhojë ai është njeriu i vetëm që do të duhet dhe të shprehet për humbjen por dhe për zgjedhjen tjetër që ai do të duhet të bëjë, nëse do të kërkojë një mandat të dytë në krye të demokratëve, në garën e pas pak javëve për drejtimin e partisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG